Maqedoni
BDI mbajti tubim në Bogovinë
11.04.2014 18:46
Me slloganin “Bashkë më mirë, bashkë më të fortë, bashkë për Evropë”, në suaza të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit...

Me slloganin “Bashkë më mirë, bashkë më të fortë, bashkë për Evropë”, në suaza të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit, integristët kanë zbarkuar në Komunën e Bogovinës. Duke folur për arsyet pse banorët duhet të mbështesin platformën e BDI-së, kryetari i Komunës së Bogovinës, njëherët edhe shef i Shtabit Zgjedhor Rajonal të integristëve, ka deklaruar se ai, pasi ka marrë mandatin e tij, projektet e realizuara deri më tani gjithmonë i ka bërë në bashkëpunim dhe marrëveshje me banorët e komunës dhe do të vazhdojë të punojë bashkë me ata.
“Kemi bërë rrugë, kemi bërë sheshe, kemi bërë trotuare, s’kemi lënë asnjë shkollë pa e prekur, madje kemi bërë shkollë të re, kemi bërë shkollë alternative private, rrugët janë bërë të gjitha”, u shpreh kryetari i Komunës dhe shef i shtabit rajonal i BDI-së, Hazbi Idrizi.
Kandidati për deputet nga radhët e BDI-së, në njësinë zgjedhore numër 6, Zulxhevat Avdiu, para bogovinasve ka thënë se sharjet, fyerjet dhe ofendimet nga oponentët tjerë politik, janë të papranueshme për ta. Ai ka shtuar se BDI ka bërë një punë të madhe në ngritjen e vetëbesimit të qytetarëve dhe se shqiptarët dinë të udhëheqin me institucionet e shtetit në të gjitha nivelet dhe atë më së miri nga të gjithë të tjerët dhe për këtë dëshmojnë punët e deritanishme.
“BDI-ja ka realizuar dhe planifikon të realizojë projekte në fusha të caktuara, siç janë arsimi, shëndetësia, ekonomia, kultura, bujqësia dhe infrastruktura, duke ndërtuar shkolla spitale, rrugë, ujësjellës, zona të lira industriale, të njëjtën gjë do të vazhdojë ta bëjë edhe në periudhën e viteve 2014-20018”, tha kandidat për deputet i BDI-së, Zulxhevat Avdiu.
Ndërsa shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Abdilaqim Ademi, ka deklaruar para të pranishmëve se zgjedhjet e 27 prillit kanë peshë të madhe dhe të rëndësishme si për BDI-në, ashtu edhe për të gjithë shqiptarët. Ai nënvizoi se kërkon nga qytetarët rikonfirmimin e politikave të BDI-së dhe një mandat më të fuqishëm, pasi me këtë hap të gjithë shqiptarët e Maqedonisë bëhen edhe më të fortë.
“BDI-së i duhet edhe një mandat më i fuqishëm, sepse me këtë do të bëhen më të fuqishëm dhe më të fortë shqiptarët në Maqedoni, sepse me këtë do të bëhen më të fuqishëm dhe më të fortë jo vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët në R. Maqedoni, sepse ne mandatin nuk e kërkojmë kundër askujt, mandatin e kërkojmë për të plotësuar platformën tonë, për të avancuar çështjen kombëtare dhe për të realizuar projekte gjithmonë në interes të qytetarëve”, deklaroi shefi i Shtabit Zgjedhor të BDI-së, Abdilaqim Ademi.
Ademi ka shtuar se në këto zgjedhje BDI del me platformë gjithëpërfshirëse me 1 mijë e 81 projekte, ku përfshihen të gjitha vendbanimet shqiptare dhe ka shtuar se nuk duhet të lejohet që vota shqiptare të derdhet te subjektet që nuk mund të fitojnë mandate dhe me të cilat bie edhe numri i deputetëve shqiptarë, siç ndodhi gjatë zgjedhjeve të kaluara.
Ndërsa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili është edhe bartës i listës në njësinë zgjedhore numër 6, para bogovinasve u shpreh se vota e dhënë për BDI-në dhe për platformën e saj politike, do të sigurojë projekte të realizueshme dhe lehtë të kapshme për shqiptarët. Ai gjithashtu tha se BDI dhe shqiptarët janë të bindur se në këtë vend mund të punohet dhe të përparohet dhe nuk duhet të humben shpresat se në Maqedoni nuk ecë asgjë, por duhet vullnet, guxim dhe punë, pasi pa këto nuk ka asgjë.
“Nuk kërkojmë përkrahje, forcë për të mundur të tjerët, ne kërkojmë përkrahjen për të realizuar këto projekte, kërkojmë mandat, që ne shqiptarët të bëhemi edhe më të rëndësishëm në këtë vend, ky është vendi ynë, nuk thuhet kot “guri peshon në vend të vet” edhe ne këtu të peshojmë, këtu të ndërtojmë të ardhmen për gjeneratat që vijnë pas, prandaj ju ftoj më 27 prill t’ia jepni mandatin BDI-së, jepni mandatin forcës, e cila është dëshmuar që ka guxim dhe assesi nuk bën hap pas, assesi nuk tërhiqet nga pozicionet dhe nga projektet e planet që i bën”, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i integristëve, Ahmeti edhe para banorëve të Komunës së Bogovinës përsëriti qëndrimin se asnjëri nga kandidatët aktual për president, nuk i plotëson kriteret të cilat i ka vendosur BDI dhe shqiptarët nuk duhet të votojnë më 13 mars.
“Kurse më 13 prill, ashtu siç e tha kryetari, do të shkoni bashkë në piknik, sepse nuk është zgjidhja jonë, ne zgjidhjen e kemi ofruar dhe për atë zgjidhje do të punojmë deri në realizimin e plotë. Projektet e mëdha sigurisht që duan kohë dhe duan energji”, shtoi Ahmeti.
Kryetari i BDI-së, Ahmeti, gjithashtu tha se vota për BDI-në do të sigurojë ditë më të mira për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Ai shtoi se vendi ka hyrë në dekadën e dytë të MO-së dhe ka analizuar të gjitha punët që janë bërë brenda këtyre 10 viteve, ku shihet se çështja kombëtare shqiptare ka hyrë në binarë pa kthim pas. Ahmeti ka potencuar se shtrohen probleme që duan guxim, veprim dhe studim, se si do të ecim në këtë dekadë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Lideri i integristëve ka potencuar se vendi ka nevojë për politika të qëndrueshme, për politika avancuese në të gjitha drejtimet. Nevoja më e madhe është për vende të reja të punës, avancim në fushën e ekonomisë, blegtorisë, me qëllim që njerëzit tanë mos të shohin të ardhmen e tyre jashtë syve të prindërve dhe familjes. Ai ka potencuar se si shqetësim në platformën politike të BDI-së, është fakti se si do t’i realizojmë projektet madhore që janë në dobi të brezave të ri që vijnë pas, se do të vendosim dhe të materializojmë standardet njëjtë sikur në Evropë.
Ahmeti para banorëve të Bogovinës nuk mbeti pa përmendur edhe rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kreu i integristëve ka nënvizuar se BDI është në kontakt të përhershëm me të gjitha forcat demokratike, pasi dëshiron që Maqedonia të jetë pjesë e Evropës dhe të gjitha fondet e Evropës të shfrytëzohen deri në fund, pasi edhe Evropa është e interesuar që ne të jemi pjesë e saj.
Sipas Ahmetit edhe NATO dëshiron që vendi të jetë pjesë e strukturës euroatlantike, ndërsa shqiptarët kanë vullnet dhe e presin këtë, pasi e duan NATO-në, sepse duan paqen, stabilitetin, ardhmërinë.
Mefail Ismaili, TVM2
