Konflikti për Haxhin, Arabia Saudite ndalon pelegrinët nga Irani

08.09.2016 15:15

Konflikti i vjetër ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit...

Konflikti i vjetër ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit u reflektua edhe këtë vit në pelegrinazhin vjetor të besimtarëve myslimanë në Mekë.

Retorika e hidhur e fjalëve mes dy vendeve vijon të përshkallëzohet përpara pelegrinazhit vjetor të Haxhit.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, akuzoi autoritetet saudite për dështim në menaxhimin e pelegrinazhit një vit më parë, ku humbën jetën 2.236 persona.

Në kundërpërgjigje, myftiu i madh i Arabisë Saudite, Al Sheikh, reagoi ashpër, duke thënë se iranianet nuk janë besimtarë myslimanë, por janë armiqtë më të mëdhenj të sunitëve.

Tensionet janë rritur që nga ekzekutimi i klerikut disident, Nimr el-Nimr, dhe pas sulmit në ambasadën e Teheranit. Në janar të vitit 2016, Riadi i dha fund edhe marrëdhënieve diplomatike me Teheranin. Për herë të parë në 30 vite pelegrinasve nga Irani u  është mohuar pjesëmarrja në Haxh.

Arabia saudite dhe Irani janë në konflikt edhe sa i përket çështjes së Irakut, Sirisë dhe konfliktit të Jemenit. Mijëra besimtarë kanë zbarkuar në Mekë, ndërsa autoritetet kanë garantuar siguri të plotë dhe se janë në gatishmëri të lartë.