Maqedoni
Ostreni: Maqedonisë i duhet president konsenzual
11.04.2014 18:53
Ish-kandidati për president nga radhët e BDI-së dhe nënkryetari i saj, Gëzim Ostreni...
Ish-kandidati për president nga radhët e BDI-së dhe nënkryetari i saj, Gëzim Ostreni, ka prezantuar sot idenë për president konsenzual dhe për mosdalje në zgjedhjet e se dielës. Sipas Ostrenit, zgjedhjet për president kësaj radhe janë të imponuara dhe asnjë kandidat nuk përfaqëson vullnetin e të gjithë qytetarëve.
“24 vjet me radhë ne shqiptarët jemi përfshirë në procesin e demokratizimit të vendit, me pjesëmarrje aktive në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Maqedonisë, por asnjëherë nuk arritëm të marrim një nga tre funksionet e para të shtetit. Nëse kuptimi i demokracisë është sundimi i popullit, shtrohet pyetja: kur do të na vijë radha ne shqiptarëve që të udhëheqim një prej tre institucioneve të para të shtetit tonë të përbashkët”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Gëzim Ostreni.
Shteti demokratik duhet tu krijojë dhe ofrojë mundësi të gjithë qytetarëve, që të ndjehen të barabartë. Prandaj BDI ofron modelin për sundim të të gjithë popujve në shtetin e përbashkët multietnik, të bazuar në kushtetutën e ndryshuar me marrëveshjen historike të Ohrit dhe kjo ide jo pa qëllim është emërtuar president konsenzual, tha Ostreni.
“Më 13 prill, të dielën, do t’i themi “Jo presidentit të njëanshëm”, do t’i themi Jo të katër kandidatëve të cilët nuk e përfillin kërkesën shqiptare për president me konsenzus etnik. BDI mbetet në qëndrimin se presidenti konsenzual nuk është as koncepti etnocentrik i kandidatit Ivanov, as koncepti i shtetit qytetar të kandidatit Pendarovski, as koncepti i mashtrimit që e promovon Iljaz Halimi, por është një president që del nga marrëveshja në mes popullit shqiptar dhe popullit maqedonas. Vetëm një kryetar shteti me konsenzus ndëretnik, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet popujve, është zgjidhja e qëlluar për momentin vendimtarë, në të cilin ndodhet Republika e Maqedonisë përballë pranimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh Ostreni.
Nëse vullneti i të gjithë komuniteteve është bashkuar rreth përcaktimit për të hyrë sa më parë në NATO dhe Bashkimin Evropian, publikisht pyesim edhe njëherë: Pse të mos kemi një kandidat të përbashkët, që do të përshpejtonte jetësimin e këtij përcaktimi, pyeten nga BDI, duke shtuar se lufta politike për president konzenzual do të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve.
“As 13 dhe as 27 prilli nuk është fundi i luftës politike për president konsenzual. Ky është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë betejën politike për barazi deri sa nuk do të ketë institucion apo edhe funksion që do të jetë i pakapshëm për shqiptarët. Që të fitohet kjo betejë nesër, ne shqiptarët të dielën duhet t’i themi “Jo presidentit të njëanshëm”, duke mos dalë në zgjedhje për kryetar shteti”, shtoi Osreni.
Presidenti duhet të personifikojë unitetin e të gjithë etniteteve, pa dallim feje e kombësie. Ne nuk jemi për zgjedhje që nuk ofrojnë zgjidhje, por ne ofrojmë zgjidhje si duhet të bëhen zgjedhjet në një shtet multietnik, thotë nënkryetari i BDI-së, Gëzim Ostreni.
Rexhep Qamili, TVM2
