Botë

Incident mbi Detin e Zi, avionët amerikanë e rusë fluturojnë tre metra larg

08.09.2016 18:51

Një avion luftarak rus ka fluturuar vetëm tre metra larg njërit prej avionëve amerikanë të gjurmimit që ndodhej mbi Detin e Zi...

Zyrtarët amerikanë e përshkruan veprimin e SU-27 si joprofesional dhe të rrezikshëm. Avioni amerikan P-8A Poseidon nga ana tjetër, sipas shpjegimeve të Pentagonit, ishte duke kryer operacione rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur avioni rus iu afrua rrezikshëm.
 
“Të tilla veprime bartin potencialin e përshkallëzimit të tensioneve e mund të çojnë më e pakta fare edhe në aksidente”,- ishte deklarata e zyrtarëve amerikanë.
 
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk vonoi të paraqiste variantin e saj të ngjarjes, sipas të cilit avioni amerikan ndodhej shumë pranë territorit rus.
 
“Pilotët rusë i janë përmbajtur rregullave ndërkombëtare të fluturimit e janë afruar sepse avioni amerikan e kishte të fikur transponderin sinjalizues që ndihmon në identifikimin e mjetit”,- thotë Moska zyrtare. 
 
Rusia aktualisht është duke zhvilluar manovra ushtarake në Detin e Zi. Marrëdhëniet mes saj dhe Perëndimit janë ashpërsuar ndjeshëm që prej aneksionit të Krimesë marsin e vitit 2014.
 
Në prill të këtij viti, Shtetet e Bashkuara u ankuan se avionët rusë ishin përballur në një mënyrë të ngjashme me këtë të fundit me avionët e saj të zbulimit që fluturonin mbi Detin Baltik. Edhe në atë rast, Moska përdori të njëjtin shfajësim: “fikjen e transponderit sinjalizues”.