Maqedoni
Nesër votohet në diasporë për president
11.04.2014 19:02
Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ka bërë të gjitha përgatitjet tekniko–administrative lidhur me procesin e votimit të zgjedhjeve presidenciale në diasporë...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ka bërë të gjitha përgatitjet tekniko–administrative lidhur me procesin e votimit të zgjedhjeve presidenciale në diasporë, të cilat do të organizohen ditën e nesërme.
Çështja e organizimit të diasporës është një çështje tekniko-administrative e rëndësishme për KSHZ-në dhe ka problemet e veta, thekson nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. Sipas tij, vetëm një numër simbolik i anëtarëve të këshillave nuk kanë arritur të marrin viza për të qenë në krye të detyrës në diasporë gjatë votimit të nesërm.
“Këshillat zgjedhore janë dërguar në vendet e veta, që duhen të jenë në përfaqësitë diplomatike konsullore në ditën e nesërme. Kemi pasur probleme të natyrave të ndryshme, të cilat nuk kanë pasur mundësi të pajisen me viza në vendet ku është e paraparë të ketë viza, sidomos në Amerikë, Australi, Kanada, Britani të Madhe. Por është një numër simbolik që nuk ndërpret procesin zgjedhor, meqë kemi shumicën e këtyre që janë në këshillat zgjedhore dhe do të jenë legjitim edhe pse ata kësaj radhe nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
Nëse për zgjedhjet presidenciale kemi balotazh, deri më 27 prill do të munden edhe anëtarët e mbetur të këshillave të jenë pjesë e procesit zgjedhor në diasporë në raundin e dytë, respektivisht do të pajisen me dokumentacionet e nevojshme, theksoi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2
