Përplasje në PPD për postin e kryetarit

09.09.2016 12:21

Lajmin e publikuar për mbajtjen e kongresit të Partisë për Prosperitet Demokratik....

Lajmin e publikuar për mbajtjen e kongresit të Partisë për Prosperitet Demokratik ditën e shtunë, kjo e fundit e cilëson si të pavërtetë, sepse lajmi nuk është sjellë nga organet partiake, por është i plasuar nga një grup joformal.

PPD konsideron se bëhet fjalë për një grup njerëzish të cilët e keqpërdorin vendimin i Gjykatës së Apelit në Gostivar që kontestin gjyqësor për kreun e PPD-së e ka kthyer në rigjykim në shkallë të parë edhe atë vetëm për shkaqe teknike, jo dhe për shkaqe që kanë të bëjnë me lëshime statutare apo ligjore.

Gjithmonë sipas PPD-së, ky grup, pjesë e të cilit është edhe një ambasador dhe një person i cili nënshkroi para disa viteve për shlyerjen e Partisë nga Regjistri i Partive Politike, vendimin e Gjykatës së Apelit e interpretojnë sipas dëshirës së tyre, dhe në bazë të kësaj manipulojnë me opinionin se kanë legjitimitet të bëjnë një veprim të tillë.

Nga Partia për Prosperitet Demokratik  potencojnë se Faton Aliti mbetet akoma kryetar i PPD-së, sepse vendimi gjyqësor nuk do të thotë edhe ndryshim në Regjistrin e Partive Politike.

Në reagimin me shkrim të PPD-së shkruan gjithashtu se “kjo parti i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme ta shqyrtojë rastin e nëpunësit të saj dhe të ndërmarrë masa konform Ligjit në afat sa më të shkurtër. Në të kundërtën, PPD do të mbajë të drejtën të dyshojmë se vendimi i Gjykatës së Apelit në Gostivar është marrë nën presion politik, që nënkupton se pushteti nëpërmes gjykatave i përcakton udhëheqësit e partive politike dhe nuk lejon që të respektohet vullneti i anëtarësisë”,- thuhet në reagimin me shkrim të Partisë për Prosperitet Demokratik.