Maqedoni
Kumanovë, protestuan punëtorët e falimentuar
09.09.2016 15:06
Pas disa muajsh, në Kumanovë sërish janë rikthyer protestat e punëtorëve të falimentuar...

Disa dhjetëra anëtarë të Shoqatës së punëtorëve të falimentuar UNIT për rreth një orë bllokuan hyrje-daljen e Kumanovës tek autostrada Kumanovë–Shkup.
Të mbetur pa punë tashmë 13 vjet, të falimentuarit kërkojnë që shteti deri në pensionim apo deri në gjetjen e ndonjë pune të re tua caktojë një shumë kompensimi mujor sa për të mbijetuar.
“Kërkesat tona janë që të dëmshpërblehet kjo kategori e ish-punëtorëve, këta njerëz mbi 12-13 vjet ka që kërkojnë të drejtat e tyre, dhe në këtë shtet për gjithçka ka, për gjithkënd ka mjete si për fasada, për përmendore, e vetëm për dëmshpërblimin e kësaj kategorie të ish-punëtorëve nuk ka, që tregon se shteti asnjëherë nuk mendon për këta njerëz që janë pa të ardhura me vite të tëra”,- deklaroi kryetarja e Shoqatës UNIT, Liljana Georgievska.
Ata gjithashtu ankohen se për ta nuk kujdeset askush dhe e kanë të vështirë të mbijetojnë. Ankohen se nuk kanë para as për barëra e as për t’i paguar taksat komunale për ujë dhe shërbim higjenik. Edhe këtë herë punëtorët e falimentuar u kërcënuan se do t’i radikalizojnë protestat e tyre në shenjë revolte për mospërfilljen e kërkesave të tyre.
NEXHAT AQIFI
