Kryqi i Kuq së bashku me personat e moshuar, organizoi mëngjes për të pastrehët

09.09.2016 15:32

Për nder të shpalljes së Nënës Terezës shenjtore...

Për nder të shpalljes së Nënës Terezës shenjtore, pensionistë të shumtë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq organizuan mëngjes për personat e pastrehë.

Nga Kryqi i Kuq theksojnë se pika për përkujdesje për personat pa kulm mbi kokë në Momin Poptok punon çdo të marte dhe të premte, si dhe kjo kategori e personave nga ana e të moshuarve asnjëherë nuk harrohet.

“Punkti për të pastrehët punon çdo të marte dhe të premte. Gjatë ditës në këto punkte vijnë prej 40 deri në 50 persona të cilët nuk kanë kulm mbi kokë”,- deklaroi Dragana Llazarevska nga Kryqi i Kuq.

“Nuk është hera e parë që organizojmë këso lloj aksioni. Ne këso lloj ndihme organizojmë për të gjithë kategoritë e personave të cilët kanë nevojë. Këto i bëjmë me shumë mund dhe ndihma jonë do të jetë në favor të këtyre personave”,- tha pensionistja, Divna Llakinska.

Nga ana tjetër, personat e pastrehë kërkojnë përkujdesje më të madhe nga ana e shtetit.

“Të pastrehët kanë nevojë për çfarëdolloj ndihme. Disa prej tyre për një kohë të caktuar qëndrojnë tek shokët, por mund të them se 70% prej tyre qëndrojnë në rrugë. Ne si persona të pastrehë shpeshherë takohemi në rrugë dhe ndihmohemi njëri me tjetrin aq sa të mundemi”,- theksoi i pastrehuri, Hari Ametovski.

Pika për të pastrehët është e mbështetur nga Qyteti i Shkupit, ndërkaq programi për persona në moshë të tretë, krahas Qytetit të Shkupit, është i mbështetur edhe nga Kryqi i Kuq i Austrisë, kompania EVN Maqedoni dhe kompania “Dauti”. (Rejhane Bushi- Metaj, TVM2)