Maqedoni

Festa, mbushen tregjet me kurbane, shumë shohin, por pak blejnë

09.09.2016 15:43

Në prag të shënimit të festës së Kurban Bajramit, në disa pika të vendit janë duke u shitur bagëti të vogla dhe të mëdha për kurban...

Në vendin e vjetër, në tregun e improvizuar në kryeqytet, prej sot mund të vërehen kafshët e para për kurban, të cilat kishin dalë në shitje prej orëve të para të mëngjesit. Besimtarët e anketuar nga TVM-2 thonë se bagëtitë i plotësojnë kushtet fetare për këtë obligim fetar dhe se në ditët në vijim do shikojnë të zgjedhin kurbanin më të mirë për ta. 
 
“Kemi ardhur për të marrë kurbane. Sot është dita e parë dhe akoma çmimet nuk janë saktësuar, nesër-pasnesër do të ketë më shumë ofertë dhe do ta shohim se çfarë do të blejmë”,- tha një qytetar.  
 
“Jo, vetëm i shikojmë kurbanet për qejf. Për mua as shtrenjtë as lirë, nuk më duhet, si gjithmonë të njëjtat çmime. Për ata që kanë para lirë është, ata që s’kanë i duket shtrenjtë”,- u shpreh një qytetar.
 
Shitësit thonë se interesimi për blerje të kurbaneve nga viti në vit është duke rënë dukshëm edhe përkundër faktit se çmimet e bagëtive janë të pandryshuara, në treg ka më shumë vizitues se sa blerës, thonë ata. 
 
“Ka interesim shumë, por populli të holla nuk ka. Kurbanet mesatarë kushtojnë prej 150 deri 160 euro për dash, dhentë pak më lirë janë”,- tha një shitës.
 
“Kurbanet te unë shkojnë nga 100 euro, dhentë, dhe mendoj se krahasuar me vitet e kaluara çmimi nuk ka ndryshuar”,- theksoi një shitës. 
 
“Nuk ka shitje, kam dalë që para dy ore, por populli nuk është i interesuar, nuk kanë para të blejnë”,- u shpreh një shitës.
                                                            
Sipas Islamit, kurbani është adhurim i cili në mënyrë direkte e lidh besimtarin me Zotin e lartësuar. Me therjen e Kurbanit besimtarët i shprehin falënderim Zotit për pasurinë e falur, me të cilën pasuri është arritur që të theret kurbani.  
 
REXHEP QAMILI