Zhbllokohen turistët e ngujuar në teleferik, mori fund ankthi i turistëve në Alpe
Nga një ekskursion i shumëpritur u kthye në një makth...

Nga një ekskursion i shumëpritur u kthye në një makth, edhe pse me fund të lumtur. 33 turistët e bllokuar në teleferikun e Mont Blanc në Alpet franceze u shpëtuan të gjithë mëngjesin e sotëm, pasi që kaluan një natë të acartë në kabinat e teleferikut, duke qëndruar pezull mbi akullnaja në lartësinë e 3800 metrave.
Ata ishin mes 110 personave që u bllokuan fillimisht si pasojë ngecjes së teleferikut pas ngatërrimit të kabllove si pasoje e erërave të forta.
48 prej tyre u evakuuan me helikopter, ndërsa 30 të tjerë që gjendeshin në kabinat më pranë tokës u ndihmuan të zbrisnin me ndihmën e grupeve të shpëtimit që përdorën litarë, në orët e vona të së enjtes.
Me rënien e natës dhe shikueshmërisë së ulët për shkak të reve, operacioni u ndërpre për të rinisur në orët e para të së premtes. Personave të bllokuar në kabina ju siguruan batanije mbijetese, ushqime energjetike dhe shishe uji.
Ekipe franceze, italiane dhe zvicerane morën pjesë në operacion dhe kishin në dispozicion tre helikopterë.
