Maqedoni

Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Serbia intensifikojnë bashkëpunimin kundër terrorizmit

09.09.2016 17:23

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në këmbimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar...

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në këmbimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, shërbimet policore të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë kanë arritur marrëveshje që në kooperim të ndërsjellë të luftojnë këtë dukuri.
 
Kjo pajtueshmëri është arritur sot në konferencën rajonale që po mbahet në Shkup në organizim të Byrosë për Siguri Publike të vendit, me ndërmjetësim të Misionit EULEKS në Kosovë. 
 
“Terrorizmi dhe krimi i organizuar paraqesin problem dhe kërcënim global. Sulmet terroriste, të cilat ndodhën në Francë, Turqi dhe Gjermani dhe të cilat shkaktuan një numër të madh të viktimave në njerëz dhe dëme të mëdha materiale, paraqesin indikatorë të qartë se ky fenomen duhet të zgjidhet në nivel global. Duhet të rritet  dhe intensifikohet bashkëpunimi mes shërbimeve policore në Ballkanin Perëndimor dhe të identifikohet mënyra për këmbim më të shpejtë të informatave”,- tha shefi i misionit EULEX–Kosovë, Oliver Hofman.
 
Zëvendësdrejtori i Byrosë për Siguri Publike, Besir Deari, theksoi se terrorizmi dhe krimi i organizuar janë kërcënime të cilat prekin edhe Ballkanin dhe për këtë qëllim edhe në nivel operativ duhet të vendosen mekanizma efikase për këmbim të të dhënave kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve terroriste.
 
“Kjo është konferenca e parë e këtij lloji. Ideja është që çdo vend, pjesëmarrës në iniciativë, nëpërmjet rrugës së rotacionit, të organizojë takime të tilla me tema të ndryshme të diskutimit, respektivisht kërcënime për të gjitha vendet e rajonit”,- theksoi zëvendësdrejtori i Byrosë për Siguri Publike, Besir Deari.
 
Konferenca do të vazhdojë punimet në dy ditët e ardhshme, ndërkaq takimi i radhës për tema të njëjta do të mbahet në Kosovë.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU