Maqedoni
Politika uron besimtarët myslimanë
12.09.2016 11:39
Edhe partitë politike dhe institucionet kanë dërguar urimet e tyre në këtë festë...

Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë. Duke u udhëhequr nga fryma e kësaj feste të bekuar, uroj që të vazhdojmë të kultivojmë vlerat tona kombëtare, duke punuar edhe në të ardhmen për familjet tona dhe për kombin tonë, thuhet në urimin e kreut të PDSH-së Menduh Thaci.
Në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë besimtarët muslimanë kur shtohet dhe forcohet më shumë ndjenja e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë dhe mëshirës, uroj që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë për një të ardhme sa më të mirë për kombin tone, thuhet në urimin e kreut të RDK-së.
Meqë kjo festë vjen me mesazhin e madh të sakrificës për vlerat e larta, urojmë që ajo të jetë mësim për të gjithë se si ia vlen të sakrifikohet për idealet e larta. Asnjë fitore e madhe nuk arrihet me sakrifica të vogla. Andaj lutemi që Bajrami i Kurbanit të jetë festë që na mbruan me dashuri për tjetrin, për fqinjin dhe për atë që ka nevojë për ndihmën dhe buzëqeshjen ton thuhet në urimin e lëvizjes Besa.
Urimet më të mira për mesazhet dhe vlerat e kësaj dite, të cilat na nxisin për më shumë falje dhe tolerancë, për më shumë mirëkuptim, për të bërë mirësi dhe për të zhvilluar një solidaritet më të madh me njëri tjetrin dhe sidomos me njerëzit që kanë nevojë për solidaritet thuhet në urimin e partisë Uniteti.
Le të jetë kjo festë motiv për forcimin e besimit tonë, mendjeve dhe zemrave tona, për realizimin e qëllimeve të larta humane dhe devotshmërisë, për sigurimin e progresit në këtë botë dhe shpëtim për botën e amshuar! Le të na shërbejë kjo festë si moment i vetëdijesimit tonë, që ta respektojmë njëri-tjetrin, dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore, thuhet në urimin e rektorit të Universitetit të Tetovës.
