Maqedoni

Tërmeti, 200 persona kërkuan ndihmë në spitalet e Shkupit

12.09.2016 15:05

Shkupi u trondit sërish nga një tërmet që shkaktoi panik, por që në fakt ishte një goditje pasuese e tërmeteve të së dielës...

Në spitale ka ende pacientë të lënduar. 200 gjithsej kanë kërkuar ndihmë dje, tre prej tyre janë operuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.  
 
Personat e tjerë që ishin të pranuar në Klinikën Kirurgjike në Qytetin e Shkupit me plagë të hapura dhe lëndime trupore, janë mjekuar dhe lëshuar në shtëpi. 
 
“Me siguri është paniku ai që i kapi qytetarët dhe pësuan lëndime trupore, por me rëndësi është që nuk patëm pacientë që ishin në rrezik me jetën, gjendja është qetësuar dhe nuk ka më persona që kanë kërkuar ndihmë si rezultat i tërmetit të djeshëm”,- deklaroi mjeku në Klinikën Kirurgjike “Shën Naum i Ohrit”, Nino Gruevski.
 
“Rreth 60 persona kanë pasur nevojë për kujdes dhe trajtim kirurgjik apo nevojë për trajtim të lëndimeve që u kanë ndodhur gjatë tërmetit, ndërsa 60 persona të tjerë kanë pasur nevojë për kontroll dhe mjekim  të internistit si rezultat i stresit të përjetuar, me ç’rast ka ardhur deri te ndryshimi i tensionit të gjakut”,- tha mjeku në Spitalin “8 shtatori”, Tode Vranishkovski.
 
Pas tërmetit të së dielës është rritur numri i thirrjeve telefonike në ndihmën e shpejtë. Në spitalet e kryeqendrës është punuar me ekipe të përforcuara mjekësore, ndërsa mjekët e tjerë ishin në gatishmëri për çdo rast.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI