Maqedoni
Dridhje të reja në Shkup, qytetarët nga frika kaluan natën jashtë
12.09.2016 15:55
Një natë e kaluar me frikë por pa dridhje, sikur i qetësoi pak banorët e Shkupit, pas dridhjeve të fuqishme të tokës gjatë të dielës....

Por, dita solli sërish frikë. Dridhje të reja kthyen ankthin. Goditja më e fortë ishte ajo prej 3.7 në orën 14:19, që erdhi pas një dridhjeje rreth mesditës me intensitet 2.3 ballë.
Sizmologët apelojnë qytetarët të mos kenë frikë e të mos përfshihen nga paniku, pasi, sipas tyre, dridhjet e fundit janë dukuri normale pas tërmetit 5.3 ballësh.
“Prej dje kemi të regjistruara rreth 100 tërmete, prej të cilave 10 apo 15 janë ndjerë nga qytetarët. Është normale që të ketë aktivitet sizmik, ku lirohet energjia e dhënë, e cila është e shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm. Tërmetet që ndodhën pas asaj të madhes janë tërmete të dobëta, pasi që kanë qenë me magnitudë të Rihterit diku rreth 2-2.5”,- thuhet nga Instituti Sizmologjik.
Por, me gjithë deklaratat e sizmologëve, është vështirë t’ua mbushësh mendjen qytetarëve se nuk ka rrezik kur muret u tunden në mënyrë të frikshme. Shumë shkupjanë kaluan mbrëmë natën jashtë shtëpive, në parqe dhe ambiente të hapura me frikën se tërmeti mund t’i zënë në objekte të mbyllura gjatë natës.
Më të trishtuar ishin banorët e Hasanbegut, të cilët para një muaji u përballën me një tjetër fatkeqësi natyrore, me vërshimet. Ata thonë se nuk kanë më forcë për të përballuar edhe fatkeqësi të tjera.
“Na kanë prishur vërshimet, tani edhe kjo na trishtoi. Mbrëmë jemi frikuar mjaftë, gjithë natën nuk kemi flet, me fëmijë të vogël jemi. Tërë natën nuk kanë fjetur ata, jashtë në lagje kanë qenë”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.
“U trishtuam, njëherë prej ujit, tani prej tërmetit. Në panik jemi, krejt në stres. Natën e kemi kaluar jashtë me trishtim. Kemi flet jashtë”- theksoi një banor i Hasanbegut.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me njoftim zyrtar se nga tërmetet që goditën dje rajonin e Shkupit janë raportuar dëme të shkaktuara nga lëkundjet e tokës.
Bëhet fjalë për dëme të më shumë veturave, pastaj janë dëmtuar disa çati ndërtesash, janë thyer xhama në disa objekte në qytet. Dëme janë raportuar edhe në Batincë, Draçevë, Gazi Babë, Bit Pazar, Qendër, si edhe një oxhak ka rënë në lagjen Hekurishte të Shkupit.
ERSAN PAJAZITI
