Maqedoni

Kurban Bajrami, Hasanbegu festoi, por pa gëzimin e zakonshëm

12.09.2016 16:23

Bajrami i sivjetmë nuk ishte një Bajram i zakontë për banorët e Hasanbegut. Ata festën e pritën me frikë, mërzi dhe dëshpërim...

Vërshimet e 6 gushtit kanë lënë shumë banorë pa kulm mbi kokë. Pas vërshimeve dhe pas tërmeteve me epiqendër pak metra larg fshatit të tyre, ata thonë se janë të lodhur dhe nuk gjejnë forcën për t’u gëzuar dhe buzëqeshur. 
 
“Po mirë me thënë, por nuk është ajo e përparshmja, se u sprovuam me dëmin e ujit, tash edhe ky tërmeti... Nuk e di çfarë të them, u frikësuam. Edhe nuk është ai lezeti i Bajramit si përpara me i vizituar familjarët, nuk di më shumë çfarë të them, s’kam koment”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.
  
“Shum keq, jemi të dëshpëruar. Po prej Zotit nuk kemi çfarë të bëjmë. Mysafirë vijnë, por të gjithë janë të mërzitur, të gjithë janë të lodhur, me frikë, janë duke ikur të gjithë prej fshatit, i marrin veturat dhe po shkojnë nëpër parqe”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.  
 
Ende shumë shtëpi në Hasanbeg janë të pabanueshme nga vërshimet, ende shumë familje jetojnë tek të afërmit në pritje të të hollave të dëmshpërblimit. Ata urojnë që Bajrami tjetër t’i gjejë në shtëpitë e tyre dhe iu lutën sot Zotit mos t’i sprovojë më me fatkeqësi të rënda.
 
ERSAN PAJAZITI