Maqedoni

Njësia e 6-të zgjedhore, përplasje VMRO-LSDM kush duhet ta zgjidhë

12.09.2016 17:28

Ministria e Drejtësisë duhet të gjejë një zgjidhje për njësinë e 6 zgjedhore ku ka më tepër votues se numri i parashikuar me ligj...

Nga VMRO thonë se duhet të ndërmerren hapa konkretë që numrat e votuesve në njësitë zgjedhore të vijnë në parametrat e kornizave të parapara sipas ligjit.
 
Ata e kanë lënë në dorë njësinë e 6 zgjedhore të tre partive të tjera dhe do të pranojnë çdo propozim të tyre. 
 
“U japim përparësi  LSDM-së, BDI-së dhe PDSh-së të propozojnë dhe për atë që mendojnë se është e përshtatshme, të dakordohen, ne të njëjtën do ta mbështesim për të mos pasur arsye të ndryshme se dikush tjetër qëndis njësi zgjedhore përkundër vullnetit të partive opozitare”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, nga LSDM thonë se zgjidhja është në duart e institucioneve dhe  njësia e 6 mund të jetë një tjetër lojë e Gruevskit për shtyrjen e zgjedhjeve.
 
“Nuk kuptojmë se si njerëzit që kanë në dorë Qeverinë, u bëjnë thirrje partive politike. Në Maqedoni institucionet e sistemit më në fund duhet të respektojnë ligjet. Vetëm kështu Maqedonia do t’i kthehet normalitetit. Tre partitë e tjera nuk pranuan propozimin tonë për një njësi të vetme zgjedhore, tani kërkojnë zgjidhje të reja, dhe kjo është qesharake derisa dy prej këtyre partive janë në qeveri”,- thuhet nga LSDM.
 
Ish-kryetari i KShZ-së, Aleksandër Novakovski, thotë se problemi me njësinë e 6 mund të zgjidhet menjëherë nëse partitë kanë vullnet.
 
“Zgjidhja më e padhembshme është të dakordohen katër partitë politike, të mos kalkulojnë me komuna, të mos kalkulojnë me rezultate eventuale. Ju thashë, është rrezik nëse fillojnë me kësisoj kalkulime, atëherë ajo pyetje asnjëherë nuk do të zgjidhet”,- theksoi ish kryetari i KShZ-së, Aleksandër Novakovski.
 
Deri në shpërbërjen e parlamentit ka mbetur edhe një muaj. Kjo është kohë e mjaftueshme që Ministria e Drejtësisë të gjejë zgjidhje e tua dorëzojë të njëjtën deputetëve. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI