Maqedoni
Lideri i BDI-së pret ambasadorin suedez, Stafanson
13.09.2016 15:16
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Mat Stafanson...

Ahmeti dhe Stafanson biseduan rreth situatës aktuale politike në vend, zgjedhjet e parakohshme, proceset integruese të vendit, si dhe marrëdhëniet me fqinjët.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, theksoi që vendi është ballafaquar me krizë politike qysh nga bojkoti i parlamentit nga opozita në vitin 2014 dhe gjer më sot, andaj dhe uron që liderët politik t’i dalin zot nënshkrimit të tyre për përmbyllje të krizës nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me pjesëmarrjen e të gjithëve, njoftojnë nga BDI.
Bashkëbiseduesit, sipas kumtesës së BDI-së, gjithashtu folën edhe për tejkalimin e kontesteve me fqinjët, në veçanti nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit si pengesë kryesore për integrimin në NATO dhe BE.
“Ambasadori suedez shprehu interesim edhe për marrëdhëniet ndëretnike, me ç’rast Ahmeti foli për frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nevojën për ta rrumbullakësuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si dhe avancimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ahmeti theksoi që BDI ka partneritet strategjik me komunitetin ndërkombëtar në realizimin e qëllimeve të përbashkëta, integrimin e vendit në NATO dhe BE”,- thuhet në kumtesën e BDI-së.
