Maqedoni

Pjesëmarrësit: Lustrimi solli padrejtësi, Axhiev: Ne bëmë punën e duhur

13.09.2016 16:44

Në vend të zbardhjes së të kaluarës, lustrimi solli vetëm padrejtësi dhe qërim të hesapeve midis kundërshtarëve politik...

Kështu vlerësuan pjesëmarrësit në debatin publik me temë: “Ndarja me të kaluarën sipas rekomandimeve të Komisionit Europian”, që e organizoi Këshilli Nacional për Eurointegrime. Ndërkohë, nga Komisioni për lustrim u shprehën se kanë bërë punën e duhur sipas ligjit.
 
“Ky debat do të kishte qenë më mirë të organizohet në fillim të procesit të lustrimit. Në vend se të zbardh të kaluarën, ky proces solli terr dhe shumë padrejtësi. Duhej të ishte ndërprerë që në momentin kur shihej se po e prish rendin kushtetues”,- tha i lustruari, Trendafil Ivanovski.
 
Nora Shaqiri, vajza e të lustruar Hisen Shaqiri, ka akuzuar kryetarin e Komisionit Axhiev se ka lustruar të atin e saj pa asnjë argument të vetëm.
 
“Nuk qëndron asnjë argument i juaj për ta lustruar babanë tim. Me cilin argument ju e lustruat babanë tim, z. Axhiev? Daut Dauti më ka thënë se babai im nuk është evidentuar në ndonjë dokument, por diku dikush ka dëgjuar emrin e tij”,- theksoi Nora Shaqiri. 
 
Ish-kryetari i Komisionit për lustrim, Tome Axhiev, veçoi se kudo organet për lustrim kanë hasur në rezistencë.
 
“Komisioni arriti të lustrojë 300 bashkëpunëtorë, ndërkaq 120 të tjerë nuk arritëm t’i përfundojmë për shkak të vonesave me vërtetimin e letërnjoftimeve, sepse u shfuqizua Komisioni. Askush nuk është lustruar pa dokument valid. Unë mendoj se lustrimi nuk ka mbaruar dhe duhej të vazhdonte”,- u shpreh kryetari i Komisioni për lustrim, Tome Axhiev.
 
Bojan Mariçiq nga Qendra për studime europiane, tha se që në fillim të procesit është dashur të merren parasysh rekomandimet e BE-së. Ndryshe, Komisioni për lustrim ka lustruar 300 persona, disa me vendime të plotfuqishme. Në mesin e të lustruarve janë edhe 35 persona të vdekur.
 
NAIM RAMADANI