Maqedoni

IITSSh: objektet e ndërtuar pas 63-ës më të sigurta, shkupjanët të mësohen me tërmete

13.09.2016 17:17

Objektet e banimit në Shkup të ndërtuara pas tërmetit të vitit 1963 janë më të sigurta dhe mund të përballojnë tërmete deri në shkallën 9 të Rihterit...

Ky është vlerësimi i përgjegjësve të Institutit për inxhinieri tërmetesh dhe sizmologji në Shkup.
 
Ata thonë se këto objekte në të shumtën e rasteve janë të ndërtuara me projekte sizmologjike, që garantojnë të paktën mbrojte të shtyllave të objekteve.
 
Sipas tyre, më në rrezik janë objektet e ndërtuara para tërmetit të 63-tës, pasi që në atë kohë fare pak janë respektuar rregullat sizmologjike të ndërtimit.    
                                               
“Mendoj se objektet e banimit në përgjithësi janë të sigurta deri në shkallën që parashikojnë projektet sizmologjike për ndërtim. Në varësi të zonës, objektet në Shkup kanë mbrojtje sizmologjike prej shkallës së 7, 8 dhe 9 të Rihterit. Por, pavarësisht kësaj, kur kemi tërmete më të fuqishme është normale që në pjesët jokonstruktive të objekteve të paraqiten dëme të vogla, kjo është parashikuar në projektet sizmologjike. Këto dëme nuk ndikojnë në dëmtime të mëdha të shtyllave mbajtëse të objekteve që parashikojnë standardet. Më të rrezikuara mbeten objektet e ndërtuara para tërmetit të 63-ës”,- deklaroi Zoran Rakiçeviq nga Instituti për Inxhinieri Tërmetesh dhe Sizmologji (IITSSh). 
 
Përgjegjësit e këtij Instituti ua rikujtojnë qytetarëve se tërmetet janë normale për zonën e Shkupit, e cila është zonë sizmike.          
                                                           
“U krijua një imazh se pas çdo tërmeti është duke ndodhur diçka e papritur, e jashtëzakonshme, por jo. Të gjithë e kanë gabim! Kjo është gjendje normale për territorin e Shkupit. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me tërmete, sepse në disa raste është vërtetuar se ka dhe do të ketë edhe më tej tërmete në Shkup. Duhet mësuar të jetojmë me paramendimin se tërmetet fatkeqësisht kanë një periudhë rikthimi. Qytetarët nuk duhet të frikësohen dhe të krijojnë panik se objektet e tyre janë nën rrezik dhe të dëmtuar në themel. Plasaritjet e vogla të mureve të brendshme të objekteve të banimit, fasadave, ose rrëzimi i pllakave të banjës ose tavaneve, nuk do të thotë se është dëmtuar konstruksioni ose shtyllat e objekteve ku ata banojnë”,- theksoi Zoran Rakiçeviq nga Instituti për inxhinieri tërmetesh dhe sizmologji (IITSSh). 
 
Nga ky Institut sqarojnë se rregullat sizmologjike janë të njëjta prej vitit 1980 e deri më sot, përveç se së fundmi janë shtuar kontrollet. 
 
REXHEP QAMILI