Maqedoni
Disa shkolla dhe çerdhe të dëmtuara në Shkup, asnjë fëmijë në çerdhe dhe shkolla
13.09.2016 17:41
Dridhjet e tokës gjatë dy ditëve të kaluara kanë dëmtuar disa shkolla dhe çerdhe në Shkup...

Por, edhe ato çerdhe dhe shkolla që kanë pasur dëme edhe ato që nuk kanë pasur nuk kanë punuar, megjithëse nuk kishte ndonjë njoftim nga MASh se fëmijët nuk duhet të shkojnë në shkollë, por prindërit nuk kanë ndjerë siguri, prandaj edhe nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë.
“Një shoqe e klasës më tregoi se nuk punohet në shkollë se dyert e shkollës janë të mbyllura, gjithashtu edhe prindërit më kanë thënë mos të shkojë në shkollë”,- theksoi nxënës.
Çerdhet që kanë pësuar dëme nga lëkundjet e tokës kanë marrë porosi nga Instituti për inxhinieri tërmetesh dhe sizmologji që ta ulin kapacitetin pranues, që të mos vihen në rrezik fëmijët dhe nxënësit. Ndërkaq, do të pranohen vetëm ata fëmijë që nuk kanë zgjidhje tjetër, deri sa të bëhen sanimet në muret e çerdheve.
“Gjatë ditës së djeshme në mëngjes kemi pasur fëmijë, por numri i fëmijëve nuk ka qenë i madh për shkak festës. Por, nga Instituti për inxhinieri tërmetesh dhe sizmologji në Shkup na lajmëruan se prindërit duhet të vijnë t’i marrin fëmijët dhe ne i kemi thirrur prindërit që t’i marrin fëmijët. Gjithashtu deri të hënën i rekomandojmë prindërit që të mos t’i sjellin fëmijët në çerdhe për shkaqe sigurie. Ndërkohë, çerdhja “11 tetori” nuk do të funksionojë deri sa të bëhen sanimet në muret e çerdheve”,- deklaroi drejtoresha e kopshtit “11 tetori”, Lena Spirova-Mlladenovska.
“Pas thirrjeve që i kemi marrë nga drejtorët e çerdheve të fëmijëve në komunat ku ka dëme serioze nga lëkundja e tokës, ne sot kemi dalë në terren për të parë prej së afërmi gjendjen e këtyre çerdheve. Deri më tani që kemi vizituar çerdhet nuk bëhet fjalë për dëme konstruktive, por për dëme të enterierit dhe kjo ndikon në funksionimin e çerdhes. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të bëjë sanimet e dëmeve”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenska.
Drejtori i Sh. F. “Adem Jashari”, Halil Palloshi, theksoi se mësimdhënësit kanë qenë në punë, por nxënësit nuk kanë ardhur në mësime.
“Nxënësit vetë nuk kanë ardhur, arsimtarët kanë ardhur në mëngjes në punë në kohen e caktuar. Kemi disa informata, por nuk e dimë sa është e saktë, se shumë fëmijë me prindërit e tyre janë larguar, kanë shkuar në Kosovë, një pjesë e madhe kanë fjetur në oborr të shkollës dhe ne presim nga Ministria e Arsimit se çfarë do të bëhet më tutje. Njerëzit janë friku, fakt është. Shkolla është e paraparë që mund t’i përballojë tërmetit disa shkallë, por sidoqoftë askush nuk mund të japë garanci”,- u shpreh drejtori i Shkollës Fillore “Adem Jashari”, Halil Palloshi”.
Gjithashtu edhe Komisioni i Komunës së Çairit ka vërtetuar se ka dëme në disa shkolla, si dhe në Kopshtin “Borëbardha”.
Ndërsa nga Instituti për inxhinieri tërmetesh dhe sizmologji theksojnë se Çerdhja “Borëbardha” nuk do të funksionojë dhe fëmijët do të shpërndahen në kopshte tjera që janë nën kompetencat e Çerdhes “Fidani”.
REJHANE BUSHI-METAJ
