Maqedoni
Shkupi tre ditë radhazi tronditet nga tërmeti, qytetarët kalojnë natën në park dhe oborre
13.09.2016 18:19
Dridhjet e njëpasnjëshme të tokës në Shkup kanë traumatizuar banorët e Shkupit...

Qytetarët tashmë po jetojnë me stresin se kur do të ndodh tërmeti i radhës.
Banesat janë pothuajse të zbrazura, pasi që shumë qytetarë ende po qëndrojnë në tenda nëpër parqe dhe në ambiente tjera të hapura, apo diku jashtë qytetit me frikën se mos t’i zërë tërmeti nëpër banesat dhe shtëpitë e tyre.
Krahas frikës dhe trishtimit, tërmeti ka bërë edhe dëme materiale nëpër disa shtëpi dhe objekte. Kamera e TVM2 regjistroi shumë mure të plasaritura, çati të dëmtuara, si dhe xhama të thyer nëpër qytet.
Tërmeti ka dëmtuar edhe një banesë në Çair, ku në pjesën e shtuar është çarë dhe rrezikon që të bie.
Kjo ngjarje ka trishtuar familjet që jetojnë në këtë banesë. Ata thonë se pjesa e re nuk është ndërtuar siç duhet dhe tani nuk po munden të jetojnë në shtëpinë e tyre, pasi që vazhdimisht janë në ankth se shtëpia do të rëndohet.
“Unë kam qenë në Itali, nuk kam qenë këtu kur e kanë ndërtuar, pasi që e kanë ndërtuar kam ardhur. Kur kam ardhur e kam vërejtur që diçka po lëviz, i kemi thirrur ata, por nuk kanë ardhur. Dhe tani tërmeti e bëri të veten, nuk guxojmë të flemë këtu. Nuk janë lidhur shtyllat siç duhet. Vetëm i kanë ngulur në tokë shtyllat, nuk bëhet shtëpi ajo pa e ndërtuar mirë themelin”,- u shpreh një banor i Çairit.
Trishtimi që i ka kapluar ata vërehet në sytë e tyre, pasi që teksa tregonin ngjarjen nuk u përmbajtën dot nga emocionet.
“Isha në dritare dhe vetëm kur krisi, unë thash se televizori. Më është dukur se mu nxjerrën sytë, shkova i lava sytë edhe i mblodha fëmijët, dolëm për dere, mbetëm aty tek dera, u thashë rrini njëherë nën shtylla”,- tha një qytetar i Çairit.
Edhe banorë të tjerë të kësaj lagje treguan tmerrin që kanë përjetuar.
“Tërmeti ka qenë shumë i vështirë, shumë u frikësuam, dolëm prej banese, të gjithë fqinjët dolën në park këtu. Janë frikësuar shumë, fëmijët qanin. Mezi e kemi zbritur poshtë një grua shtatzënë, dhe kjo gjë ka qenë e vështirë, e dërguam në spital, sepse shumë ishte e stresuar. Vështirë ka qenë mjaft. Dy net kam shkuar tek motra, pasi që grua kishte frikë. Këto ndërtime që i kanë bërë tani, këto janë shumë keq, sepse menjëherë këtu, siç e shihni, është çarë, dora hyn pas shtyllës që e lidhë me ndërtesën e vjetër”,- tha një qytetar.
“Tërmeti është i vështirë shumë. Dolëm prej shtëpie, ja atje kemi jetuar në oborrin e shkollës”,- u shpreh një qytetar.
Rreth 500 paraqitje për lajmërim të dëmeve të objekteve në serinë e tërmeteve në rajonin e Shkupit, që kanë filluar nga pardje në mëngjes, janë regjistruar deri më tani në Qendrën për menaxhim me kriza.
Paraqitjet, siç informojnë nga QMK, në pjesën më të madhe parashtrohen në fasada të shembura, çati të dëmtuara, xhama të thyer dhe automjete të dëmtuara.
ERSAN PAJAZIT
