Botë
Ciklon i fuqishëm godet Australinë
12.04.2014 16:40
Cikloni tropikal ”Ita” goditi sot brigjet lindore të Australisë duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe linjave telefonike për mijëra persona...

Cikloni tropikal ”Ita” goditi sot brigjet lindore të Australisë duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe linjave telefonike për mijëra persona, ndërkohë që autoritetet parashikojnë se stuhia do të vazhdojë të përbëjë një kërcënim edhe pse është me intensitet të ulët.
Dhjetëra mijëra banorë u evakuan dje në mbrëmje, ndërkohë që shtrëngata dhe erëra të forta deri në 230 kilometra në orë, që mund të shkaktonin dëme të konsiderueshme, goditën brigjet lindore të Australisë.
Asnjë viktimë dhe as dëme të mëdha nuk u regjistruan, ndërkohë që stuhia e klasifikuar me forcë katër nga shkalla maksimale pesë, kishte humbur energjinë e saj sot në mëngjes.
Kryeministri i Queensland, Campbell Newman theksoi se disa mijëra persona ishin privuar nga energjia elektrike dhe parashikoi se stuhia do të vazhdonte të përbënte një kërcënim, ndërkohë që ishte drejtuar drejt pjesës jugore të Australisë.
