Botë

Dënimi me vdekje, Erdogan: Nuk vendos BE, por populli dhe Parlamenti turk

14.09.2016 10:08

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, iu ka ripërsëritur krerëve europianë se nuk kanë asnjë të drejtë vote në vendimin e Turqisë për rikthimin e dënimit me vdekje...

Sipas tij, nëse populli vendos dhe parlamenti turk e voton, BE nuk ka përse të përzihet.
 
“Populli shpreh kërkesën për dënimin me vdekje, Parlamenti e vendos në rendin e ditës dhe e vlerëson. Në momentin që vendimi miratohet në Parlament, askush nuk ka autoritetin t’i dalë kundër. Disa liderë europianë na thonë se: ju mbroni dënimin me vdekje. Unë i jam përgjigjur: ju nuk keni përjetuar ato që kemi përjetuar ne. Demokracia është vullneti i popullit, është qeverisja e popullit. Nëse populli e kërkon dhe parlamenti e miraton, ju nuk mund ta kundërshtoni. Më vjen keq, por për këtë nuk vendos Bashkimi Europian. Ai që vendos në lidhje me këtë vendim është populli dhe Parlamenti i Republikës së Turqisë”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan.
 
Erdogan ka kërcënuar edhe autorët e shpërthimit në Van ditën e Bajramit. “Herët a vonë do t’i bëjmë të mbyten në gjakun që kanë derdhur.  Askush nuk ka të drejtë të prishë festat e shenjta, këto ditë të bukura të popullit tonë”,- tha Erdogan.
 
Kreu i shtetit turk ka përmendur edhe kundërshtarin e tij Gylen dhe organizatën FETO, duke e cilësuar grusht-shtetin e organizuar, sipas tij, nga Gylen, me veprimtarinë e PKK-së. Ai ka justifikuar shkarkimin e 24 kryetarëve të komunave turke, duke thënë se shteti nuk është i detyruar t’i sigurojë mundësi atyre që veprojnë kundër tij. 
 
LEUNORA KALIQI