Botë

“Meranti” godet Tajvanin, mijëra të evakuuar, supertajfuni i drejtohet Kinës

14.09.2016 10:34

Stuhia më e fuqishme e këtij viti, supertajfuni “Meranti”, e cila goditi Tajvanin, ka detyruar mijëra njerëz të evakuohen, derisa mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike...

Tajvani dhe Kina kanë shpallur gjendjen e gatishmërisë së lartë, ndërsa stuhia epike po godet ishullin me erëra deri në 370km/h si dhe reshje të dendura. Shkollat dhe institucione në jug të Tajvanit janë mbyllur dhe dhjetëra fluturime janë anuluar. 
 
"Gjatë tornadove më të mëdha në të shkuarën kemi pësuar dëme në skele dhe në shtylla të tabelave rrugore. Por, të shkulet e gjithë shtylla me tabelë rrugore dhe mos të gjendet askund, është gjë me të vërtetë shumë e frikshme. Duken qartë valët të cilat godasin murin e portit, që gjithashtu shkaktojnë frikë. Asnjëherë më parë nuk kemi parë valë kaq të mëdha të shkaktuara nga ndonjë tajfun”,- deklaroi komisioneri i qarkut, Huang Chien-Ting.
 
Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima në Tajvan. Katër persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 4 000 policë dhe ushtarë janë dislokuar në zonat e prekura më rëndë për evakuime të ardhshme që mund të nevojiten. Megjithatë, autoritetet tajvaneze u shprehën se janë marrë masat e duhura dhe nuk pritet shkatërrim apo dëme masive.
 
Meteorologët thonë se 23 milionë njerëzit në Tajvan do të lagen ndjeshëm nga supertajfuni, i cili gjithsesi forcën e tij kryesore do ta zbrazë në Kinë. Pritet që stuhia kolosale të mbërrijë në provincat Guangdong dhe Fujian të enjten gjatë ditës. Autoritetet kineze bënë me dije se po merren masa emergjence në gjashtë provinca jugore, ku përfshihet edhe qyteti i Shangait.
 
Supertajfuni “Meranti” është më i forti që godet Tajvanin në 21 vjet dhe kur të mbërrijë në provincën kineze Gunagdong, do të jetë më i forti që godet këto zona në 47 vitet e fundit.
 
LEUNORA KALIQI