Botë
Juncker paralajmëron Britaninë: S’ka qasje në tregun e përbashkët pa lëvizjen e lirë
14.09.2016 12:33
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, gjatë fjalimit tij të parë pas referendumit, i cili vendosi për daljen e Britanisë nga blloku...

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, gjatë fjalimit tij të parë pas referendumit, i cili vendosi për daljen e Britanisë nga blloku, ka paralajmëruar atë mbi gjendjen aktuale në Bashkimin Europian se aksesi ndaj tregut të përbashkët europian do të varet tërësisht nga lëvizja e lirë e njerëzve.
Sipas tij, këto dy fusha do të jenë të ndërlidhura dhe “nuk do të ketë qasje të ndara” për secilën prej tyre.
Juncker kishte qëllim kryesor t’i mblidhte të 27 vendet anëtarë të BE-së për t’u fokusuar kryesisht në sfidat më të rëndësishme, siç janë ato të emigracionit dhe sigurisë.
“Bashkimi Europian nuk rrezikon aspak nga “Brexit”, por largimi i Mbretërisë së Bashkuar ka nxitur një “populizëm galopant” dhe Europa duhet të jetë e mbrojtur prej këtyre forcave kundër vlerave dhe parimeve themelore të njerëzimit. Mbi të gjitha, Europa nënkupton paqe. Nuk është aspak koincidencë që periudha më e gjatë e paqes nisi me krijimin e komunitetit europian”,- deklaroi presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Duke kritikuar ashpër sulmet e fundit ndaj emigrantëve në Britani, Juncker tha se “nuk do të pranojë kurrë që punëtorët polakë të hidhen në rrugë dhe të keqtrajtohen rrugëve të Essexit”.
Ndryshe, udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në kryeqytetin sllovak, Bratislavë, gjatë së premtes, aty ku do të mungojë kryeministrja britanike, Theresa May.
Ndërkohë, të martën në mbrëmje presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, bëri ndërhyrjen e tij në debatin mbi të ardhmen e BE-së. Deklarimi i tij ra në kontradiktë me këmbënguljen e Junckerit gjatë së mërkurës, kur tha se “shpesh interesat kombëtare sillen në plan të parë” në Europë. Më vonë, ai nxiti për një rifokusim tek unioni, “si një forcë udhëheqëse që mund të sjellë vetëm bashkim, si për shembull edhe atë të Qipros”.
LEUNORA KALIQI
