Përplasje të dhunshme në Brazil
Është evakuuar me dhunë një ndërtesë në Rio de Zhanero. Më shumë se 1500 agjentë policie...

Është evakuuar me dhunë një ndërtesë në Rio de Zhanero. Më shumë se 1500 agjentë policie kanë hyrë në veprim në zonë në veri të qytetit për të nxjerrë nga ndërtesa rreth 5 mijë qytetarë që jetonin që prej muajit mars brenda kompleksit të braktisur të një kompanie telefonike.
Një nga banorët tregon se policia ka shkatërruar cdo gjë dhe i ka nxjerrë jashtë pa asnjë paralajmërim. Pjesa më e madhe e personave që jetonin atje kanë humbur shtëpitë e tyre në përmbytjet që ndodhën në veri të vendit. Ata kërkojnë një strehim nga qeveria.
Gjatë përplasjes së dhunshme mes policisë dhe banorëve të paktën 12 persona kanë mbetur të plagosur dhe 27 të tjerë janë arrestuar.
Ndërhyrja e dhunshme e policisë pritet të rindezë polemikat kundër qeverisë që prej kohësh akuzohet se investon në përgatitjet për kampionatin botëror të futbollit dhe jo në shërbimet sociale.
