Maqedoni

Vazhdojnë dridhjet në Shkup, banorët ditën brenda, natën jashtë

14.09.2016 16:35

Vazhdojnë dridhjet në Shkup, edhe pse shumë më të lehta se goditja 5.3 ballësh e së dielës...

Të martën në mbrëmje u ndje një tjetër dridhje 3 ballësh e ndjekur nga dridhje të tjera më të lehta gjatë ditës.
 
Derisa dridhjet vazhdojnë, shumë qytetarë ende i kalojnë netët jashtë nga frika e ndonjë dridhjeje më të fuqishme.
 
Parqet në Çair ende janë plot me çadra, dyshekë e tavolina të banorëve që kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.
 
Edhe përkundër apeleve se dridhjet janë situatë normale pas një tërmeti relativisht të fortë, shumë banorë të Shkupit kanë larguar familjet e tyre në zona ku dridhjet ndjehen më pak.
 
“Jemi pesë veta që qëndrojmë jashtë, me fëmijët më shumë qëndrojmë poshtë se sa lartë te banesa. Natën dalim poshtë, mblidhemi të gjithë së bashku në tokë”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Sonte sërish do të shkoj te daja im, në katin e pestë nuk jetohet, është trishtim i madh aty, nuk jetohet më këtu”,- u shpreh një qytetar.   
 
“Jashtë nuk mundemi të shkojmë në banesë. Jemi pesë anëtarë që vazhdimisht qëndrojmë këtu duke fjetur nëpër vetura dhe parqe”,- theksoi një qytetar.
 
“Trishtim i madh, nuk flemë më nëpër shtëpitë tona. Unë jetoj në katin e 11 dhe u ndjenë shumë tërmetet, atje ka pasur shumë dridhje”,- theksoi një qytetar.
 
“Unë nuk kam dal aspak jashtë të rri, gjithë kohën kam ndenjur brenda në banesë”,- u shpreh një qytetar.
 
Ekspertët e inxhinierisë së tërmeteve thonë se në Shkup gjatë ndërtimeve çdo inxhinier i ka pasur parasysh të gjitha kriteret që duhet t’i respektojë në bazë të rregulloreve për mbrojtjes sizmike. Megjithatë, për një zonë sizmike aktive, siç është vendi ynë, sipas inxhinierit të tërmeteve, Isak Idrizi, më problematike janë ndërtimet shtesa të objekteve ekzistuese.
 
“Në të shumtën e rasteve nuk janë të sigurta, duhet bërë shumë kujdes, pasi që ekzistojnë objekte ku fare pak janë përmbushur kriteret e mbrojtjes sizmike”,- deklaroi doktori i Inxhinierisë së tërmeteve, Isak Idrizi.  
 
Sipas Idrizit, çdo ndërtesë duhet të respektojë masat e nevojshme për mbrojtje sizmike dhe këtë duhet ta ketë parasysh çdo ndërtues. Sipas tij, nevojitet të bëhet rishikim thelbësor i objekteve të ndërtuara më herët dhe nëse vërehen lëshime të konstrukteve të ndërtesave, mund të bëhen përforcime ose rikonstruime të objekteve ekzistuese.
 
REXHEP QAMILI