Zgjedhjet e 11 dhjetorit, KShZ dhe AShAAV përforcojnë bashkëpunimin

14.09.2016 16:42

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve dhe Agjencia...

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve dhe Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuele kanë konfirmuar sot bashkëpunimin e ndërsjellë në këtë periudhë parazgjedhore, por edhe më tej, që ka të bëjë me këmbimin e informatave dhe respektimin e tërësishëm të Kodit Zgjedhor.

Sipas drejtuesve të dy institucioneve, bashkëpunimi institucional përbën një faktor tejet të rëndësishëm në krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.

“Përveç kornizës ligjore, edhe kapacitetet institucionale dhe bashkëpunimi i ndërsjellë midis institucioneve janë një nga faktorët kyç në mënyrë që të sigurohen kushte për t’u zbatuar zgjedhje të drejta dhe demokratike”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

“I jemi shumë falënderues KShZ-së, sepse shpeshherë kur kemi qenë në dilemë juridike lidhur me qartësimet e Kodit Zgjedhor, na kanë ndihmuar të marrim vendime të drejta. Ndihma eventuale, e cila do të na nevojitet gjatë kësaj periudhe kur edhe duhet të zbatohen zgjedhjet më 11 dhjetor dhe të përfundojë kriza politike, do të jetë e patjetërsueshme. Do të japim maksimumin  si agjenci dhe si KShZ që të mos jemi pengesë për zbatimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”,- u shpreh drejtori i AShAAV-së, Zoran Trajçevski.

Trajçevski njoftoi se gjatë fundjavës do të jetë gati raporti lidhur me monitorimin e mediave, i cili më pas do t’i dorëzohet trupit Ad-hok, i cili më pas, në afat prej tre ditësh, do të duhet të deklarohet lidhur me të.

Ndërkaq deri më tani deri te AShAAV nuk ka parashtresa lidhur me mënyrën e raportimit të tyre, përveç nga një media e cila, siç tha Trajçevski, është cekur në kontekst negativ nga ana e njërit nga anëtarët e trupit të përkohshëm. (Naim Ramadani, TVM2)