Frika nga tërmetet, shkollat punojnë me orë të shkurtuara

14.09.2016 16:51

Për shkak të dridhjeve të tokës, ende shumë shkolla...

Për shkak të dridhjeve të tokës, ende shumë shkolla në vend janë të zbrazëta apo me numër të vogël të nxënësve.

Shumë shkolla mbajtën mësim me pak nxënës e me orë të shkurtuara.

“Në Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku”, në krahasim me ditën e djeshme, kemi një numër më të madh të nxënësve prezentë në shkollë. Kemi marrë rekomandim nga Ministria, po ashtu edhe nga Qyteti i Shkupit. Gjithashtu kemi informuar edhe shtabin e krizës në shkollën tonë që është në funksion të nxënësve. Mësimi është duke u zhvilluar me orar të shkurtuar”,- deklaroi drejtori i Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.

Mësimi me orar të shkurtuar do të zhvillohet deri ditën e premte, informon ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu. Ai kërkon që drejtorët dhe arsimtarët duhet të jenë më tolerant, për shkak të gjendjes.

“Qëndrimi ynë është të mos mbyllen shkollat, por të krijojmë kushte, të mbahet mësim me orar të shkurtuar, që do të thotë mos të mbahet mësim më gjatë se ora e tretë. Do të duhet të mendojmë edhe për zëvendësimin e këtyre orëve në ditët në vazhdim”,- tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Ekipet komunale në komunat e Shkupit kanë dalë në terren për të bërë vlerësimet për dëmet që janë bërë nga tërmeti nëpër shkollat, çerdhet dhe objektet tjera, në mënyrë që të dihen se çfarë hapa duhet të merren në drejtim të përmirësimit të dëmeve. (Ersan Pajaziti, TVM2)