Disbalanci mes njësive zgjedhore, tejkalimi i pragut jo vetëm shkelje ligjore
KShZ edhe një herë ka përkujtuar Ministrinë e Drejtësisë....

KShZ edhe një herë ka përkujtuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin se balancimi i njësive zgjedhore për të ruajtur pragun prej -5% deri në +5% u takon këtyre institucioneve.
“Në të kundërtën vihet në pikëpyetje e drejta e votës së barabartë të të gjithë qytetarëve”,- thotë kreu i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
“Pas azhurimit të rregullt, kuartal, dorëzuam të dhëna te Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi, si organe kompetente që të përgatisin dhe të miratojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor. I takon Kuvendit që këtë çështje ta trajtoj ashtu si duhet. Tejkalimi i pragut prej +5%, -5% e vë në pikëpyetje të drejtën e votës së barabartë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
BDI mban qëndrimin se duhet të bëhet balancimi i të gjitha njësive zgjedhore, posaçërisht i njësive zgjedhore 3 dhe 4, të cilat kanë më pak votues dhe janë nën pragun -5%.
“Qasja jonë si grup parlamentar dhe BDI do të jetë që të bëhet balancimi i të gjitha njësive zgjedhore që votuesit, por edhe qytetarët, pavarësisht cilës bashkësi etnike i takojnë dhe ku jetojnë të vihen në rrafsh të barabartë. Disbalanci nuk është aq i theksuar mes gjashtës dhe pesës. Disbalanci mes njësive zgjedhore numër gjashtë dhe njësisë zgjedhore numër tre dhe numër katër është mbi 11%, për shkak se tre dhe katër janë diçka më shumë se -5%, kurse gjashta është plus 6%”,- tha Rafis Haliti nga BDI.
Mirëpo, PDSh ka akuzuar BDI-në për disbalancin mes njësive zgjedhore në dëm të votës shqiptare. Sipas zëvendëskoordinatorit të grupit parlamentar të PDSh-së, Bekim Fazliu, problemin duhet ta zgjidhin BDI dhe VMRO, si partner koalicioni që kanë shumicën parlamentare.
“Është problem i vjetër ky disbalanc. Ne para çdo cikli zgjedhor e ngremë këtë shqetësim, sepse kështu siç janë të ndara njësitë zgjedhore, cenohet barazia e votës dhe shqiptarët fatkeqësisht humbin deputetë nga kjo ndarje e njësive zgjedhore. Këtë duhet ta zgjidh BDI me partnerin që ka, VMRO-në, për shkak se ata kanë numrat, shumicën parlamentare dhe ata udhëheqin me Ministrinë e Drejtësisë, e cila duhet të propozojë këtë ligj për rregullimin e njësive zgjedhore”,- theksoi Bekim Fazliu nga PDSh.
Disbalanci mes njësive zgjedhore, zakonisht ka ndodhur për shkak të rritjes së numrit të votuesve në njësinë zgjedhore numër gjashtë, me ç’rast është bërë transfer votuesish nga kjo njësi në njësinë numër pesë, konkretisht është bërë zhvendosje graduale e Dibrës nga njësia gjashtë në njësinë e pestë zgjedhore.
Aktualisht problem paraqet edhe rënia e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore numër tre dhe katër, të cilat, krahasuar me njësitë zgjedhore numër gjashtë, kanë mbi 11% më pak votues. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
