Në Ditën e Shërbimit dhe Përkujtimit, aksion për dhurimin e gjakut

14.09.2016 17:39

Ambasada e ShBA–ve në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit...

Ambasada e ShBA–ve në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit dhe Institutin për Transfuziologji shënuan Ditën Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit, duke organizuar aksion për dhurim të gjakut dhe grumbullim të produkteve ushqimore.

“Si individë jemi pjesë e një sistemi të hapur dhe vazhdimisht përballemi me sfidat që nga ne kërkojnë aktivitet inkurajues. Të solidarizohemi dhe të ndihmojmë dhe kjo është normë e lartë e moralit që na bën të vërtetë dhe të plotësuar dhe persona të vetëdijshëm”,- deklaroi sekretari gjeneral në Kryqin e Kuq, Sait Saiti.

“Atë që të gjithë mund ta bëjmë është të dhuruarit gjak, sepse kjo është një nga mënyrat që mund të kontribuojmë për t’i ndihmuar nevojtarëve. Ne jemi shumë të lumtur për partneritetin me Kryqin e Kuq dhe shpresojmë që sot do të shohim shumë njerëz duke dhuruar gjak”,- theksoi ambasadori i ShBA-ve, Xhejs Bejli.

Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit filloi në vitin 2002, si vështrim pozitiv drejt të ardhmes, që përmes shërbimeve bamirëse të nderohen viktimat, të mbijetuarit dhe të gjithë ata që ofruan ndihmë pas sulmeve të 11 shtatorit. Kjo ditë tashmë disa vite shënohet me aktivitet për dhurimin e gjakut edhe në vendin tonë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)