Maqedoni

Punësimi i 100 studentëve më të mirë, Universiteti i Tetovës mbetet jashtë propozimit

14.09.2016 18:31

Qeveria propozon ligj për punësimin e 100 studentëve më të mirë nga pesë universitetet më të suksesshme në vend...

Ky propozim-ligj lë jashtë listët studentët e UT-së, e cila radhitet e nënta në listën e Shangait dhe në radhitjen e Ministrisë së Arsimit.
 
PDSh thotë se ligji është diskriminues, madje as që obligon si një nga kriteret njohjen e shqipes. BDI mbështet ligjin, por kërkon uljen e kriterit.
 
Në listën e punësimeve, sipas këtij propozim-ligji, hyjnë studentët nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, “Goce Dellçev”, UEJL, Universiteti i “Shën Apostuj Pavle” dhe  “Shen Klimenti i Ohrid”. 
 
“Ideja është që këto studentë ose kandidatë të cilët do të punësohen me këtë procedurë, të mos i bëjmë punëtorë të thjeshtë administrativ”,- theksoi sekretari shtetëror në MASh, Jugosllav Gjorgjievski.
 
“Është diskriminues, sepse studentët që do të diplomojnë në UShT nuk do të mund të punësohen me këtë ligj dhe kjo jo për fatin e tyre. UShT ka vite që radhitet shumë më poshtë se sa pesë më të mirët në Maqedoni. Një arsye për këtë është edhe mënyra e financimit, e cila është diskriminuese në raport me universitetet maqedonase, që sipas informacioneve tona është gjashtë ndaj një në raportin me financimin ndaj Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi””,- tha deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
 
“Nëse nuk ka 100 studentë më 9.5, atëherë duhet të ulet. Duhet të rregullohet dhe theksohet, nëse nuk ka atëherë do të ulet kriteri në 9.2, 9.0 apo 8.9, varësisht prej numrit të studentëve që do ta plotësojnë këtë kusht, sepse 9.5 është një notë shumë e lartë edhe pse kohëve të fundit e dëgjojmë shumë këtë vlerë”,- tha deputetja e BDI-së, Shpresa Hadri.