Maqedoni

Shkencëtarët japin alarmin, vullkani “Sakurajima” kërcënon Japoninë

14.09.2016 18:51

Brenda tre dekadave të ardhshme, Japonia rrezikohet seriozisht nga një shpërthim gjigant i vullkanit “Sakurajima”...

Brenda tre dekadave të ardhshme, Japonia rrezikohet seriozisht nga një shpërthim gjigant i vullkanit “Sakurajima”, i ndodhur vetëm pak kilometra larg Kagoshimas, një qytet me mbi gjysmë milionë banorë.
 
Shkencëtarët japonezë thonë se “Sakurajima” po grumbullon nën tokë llavë me shpejtësi dhe është çështje kohe që llava të shpërthejë me furi në sipërfaqe.
 
Në rast të një shpërthimi të fuqishëm, vullkani rrezikon seriozisht që të prekë edhe centralin bërthamor të Sendait, që ndodhet vetëm 49 kilometra larg tij. 
 
Shpërthimi i fundit vdekjeprurës i “Sakurajimas” daton në vitin 1914 dhe sipas të dhënave të asaj kohe kanë gjetur vdekjen 58 persona në një zonë që ishte pak e populluar. Shpërthime të tjera më të vogla ka pasur edhe viteve të fundit.
 
Japonia ndodhet e gjitha e vendosur në atë që njihet si “Unaza e zjarrtë e Paqësorit”, ku lëvizjet e pllakave tektonike shkaktojnë tërmete vdekjeprurëse të herëpashershme dhe shpërthime vullkanesh të fuqishme.