Maqedoni

Likovë, shkollat rinovohen, nxënësit presin

15.09.2016 14:55

Që nga fundi i gushtit vazhdon renovimi i disa objekteve shkollore në Likovë dhe viti shkollor për nxënësit atje ende nuk ka filluar...

Autoritetet thonë se ka filluar renovimi i objekteve që 50 vite nuk ishin prekur. 
 
“Në Sh. F. “Kultura” në fshatin Mateç po bëhet renovimi i shkollës, ndërrimi i çatisë, dyshemetë, fasadimi nga brenda dhe jashtë, pastaj tualetet përmirësohen, ngrohja qendrore, që do të thotë se bëhet një renovim komplet i shkollës fillore. Në fshatin Opajë, në Sh. f. “ 7 Marsi”, edhe atje bëhet një renovim komplet i shkollës dhe vihet edhe ngrohje qendrore. Gjithashtu në Sh. F. “Faik Konica” në Sllupçan janë duke u bërë renovimet. Renovime kemi nisur edhe në Sh. F “Andon Zako Çajupi” në fshatin Hotël, ku gjithashtu përfshihet edhe ngrohja qendrore. Pra, është bërë një punë e madhe, ka 50 vite këto shkolla nuk kanë pasur ngrohje qendrore dhe kushte elementare për mësim”,- deklaroi përgjegjësi i sektorit për arsim–Likovë, Xhevdet Rrahmani.
 
I gjithë ky projekt është mundësuar nga një kredi prej 400 mijë eurosh, të cilin Komuna e Likovës e ka marrë për rinovimin e shkollave. Bëhet fjalë për një kredi me kushte mjaft të volitshme, por që erdhi pak para fillimit të vitit shkollor.
 
“Ne kemi arritur që të marrim 400 mijë euro kredi nga Banka botërore, e cila është me kushte të volitshme. Kjo kredi lahet nga buxheti i Komunës së Likovës. Kështu që vonesa e nisjes së rinovimeve është bërë, sepse me vonesë na janë lejuar këto mjete”,- tha kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.
 
Ndërkohë që nxënësit e Mateçit procesin e fillimvitit shkollor janë duke e vijuar në objektin e Sh. F. “Dituria” në Likovë, për të cilët është siguruar transporti.
 
Për shkak të rinovimeve në shkollën në fshatin Opajë, mësimi duhej të fillonte më 15 shtator, mirëpo meqë punimet nuk kanë përfunduar ende, TVM 2 nga burimet brenda Komunës së Likovës mëson se sipas të gjitha gjasave edhe nxënësit e Opajës edhe një javë do të vazhdojnë pushimin veror.
 
NEXHAT AQIFI