Maqedoni
Vullnet Ahmeti: Kuadrot e UT-së drejtojnë me sukses institucione
15.09.2016 15:29
Rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti, e ka quajtur tendencioze listën me të cilën Ministria e Arsimit rangon universitetet...

Rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti, e ka quajtur tendencioze listën me të cilën Ministria e Arsimit rangon universitetet, e që do të merret si bazë për punësimin e 100 studentëve nga pesë universitetet më të mira. Ahmeti thotë se cilësia e UT-së shihet tashmë në shumë institucione shtetërore që udhëhiqen pikërisht nga kuadro të dala nga UT.
“Rangimi është bërë në vitin 2012, në atë periudhë unë as gjashtë nuk isha që isha zgjedhur si rektor dhe ne jemi deklaruar se rangimi që bëhet në forma të tilla është i papranueshëm dhe është tendencioz. Kështu që propozimet e ligjeve që vijnë në bazë të rangimeve të universiteteve janë anti-kushtetuese në R. Maqedonisë. Cilësia është në vazhdën e rritjes dhe zhvillimit në universitetin tonë dhe kjo tregon se studentët që kanë mbaruar në universitetin tonë punojnë në dikastere të administratës publike dhe shtetërore, bile janë edhe në postet udhëheqëse të ekzekutivit të vetë Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
Ministria e Administratës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kanë dorëzuar në Kuvend një propozim-ligj për punësimin e 100 studentëve më të mirë nga pesë universitetet më të suksesshme në vend.
Ky propozim-ligj lë jashtë liste studentët e UT-së, e cila radhitet e nënta në radhitjen e Ministrisë së Arsimit të bërë sipas listës së Shangait. Në listën e punësimeve, sipas këtij propozim-ligji, hyjnë studentët nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, “Goce Dellçev”, “Universiteti i Europës Juglindore”, “Shën apostol Pavle” dhe “Shën Klimenti i Ohrid”.
ERSAN PARAZITI
