Maqedoni

Fakulteti i Shkencave Islame, 20 vjet punë për ngritjen e vetëdijes fetare

15.09.2016 16:25

Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup shënoi fillimin e vitit akademik, duke shënuar në të njëjtën kohë edhe 20 vjetorin e themelimit...

FShI është institucioni më i lartë edukativo-arsimor i BFI-së dhe njëherit kontribuon për ngritjen e vetëdijes fetare e shoqërore të komunitetit mysliman në Maqedoni. 
 
“Miku imë i madh, doc. Fadil Sylejmani, me miqtë e tij të  devotshëm të shkollimit në gjuhën shqipe inicioi dhe shtiu idenë e arsimimit të lartë të shqiptarëve të Maqedonisë deri në hapjen e universitetit shqip të Tetovës. Paralelisht unë me bashkëpunëtorët e mi të ngushtë iniciuam themelimin e FShI-së. Këto data janë të shënuara në analet e historisë kombëtare të gjitha peripecitë tona nëpër të cilat kaluam si themelues si dhe si realizues të këtyre ideve të shëndosha kombëtare në interes të popullit tonë”,- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
“FShI është themeluar nga “mexhlisi shura” i Bashkësisë Islame të RM-së, si nevojë e domosdoshme e arsimit të lartë në vend… Qeveria e Maqedonisë në shkurt të vitit 1998 ka aprovuar vitin akademik 1997/1998 si vit kur FShI do të startojë me punë. Në vitin 2008, përmes Ligjit për themelimin e institucioneve të arsimit të bashkësive fetare, FShI zyrtarizon veprimet e veta”,- tha dekani i FShI-së, Faredin Ebibi.
 
“Mash ka dhënë kontributin e tij duke bërë akreditimin e shkencave  në FShI në shkallën e parë edhe në procedurën e sipër është edhe akreditimi për shkallën e dytë. Ministria e Arsimit këtë vit do të ndajë 60 mijë euro nga buxheti i saj”,- theksoi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
 
Nga themelimi deri më sot në Fakultetin e Shkencave Islame janë regjistruar mbi 770 studentë. Në Fakultetin e Shkencave Islame zhvillohen tre programe të akredituara të studimit në ciklin e parë diplomatik dhe në ciklin e dytë atë të specializimit dhe të magjistraturës. Plan-programi aktual mbulon studime interdisiplinore dhe multidisiplinore. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ