Maqedoni

Kuvend, përmbytjet sërish përplasin pozitën dhe opozitën

15.09.2016 16:51

Kompensimi i dëmeve që u shkaktuan nga përmbytjet në rajonin e Shkupit dhe Tetovës ka përplasur pozitën edhe opozitën në Komisionin për financa dhe buxhet...

Këta të fundit kanë kërkuar që të plotësohet Ligji për realizimin e buxhetit, me çka do të obligohet Ministria e Financave të publikojë emrat dhe shumën e mjeteve të realizuara ndaj të dëmtuarve.
 
Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të rritet transparenca dhe do të shmanget dyshimi për qasje selektive.
 
Ndërkaq, nga pushteti kanë refuzuar të përkrahin këtë iniciativë, duke e cilësuar atë si përpjekje të padrejtë të opozitës për të përfituar politikisht.
 
“Me këtë ligj kërkojmë që të vendoset transparencë gjatë realizimit dhe kompensimit të dëmeve të vlerësuara, me çka kërkojmë që të obligohet Ministria e Financave që në ueb faqen e saj të publikojë listën e të gjithë personave me emër dhe mbiemër dhe shumën për dëmin e vlerësuar dhe pagesën e realizuar nga përmbytjet në afat prej dy ditësh nga realizimi i pagesës”,- deklaroi Marijanço Nikollov nga LSDM.
 
“Konsideroj se kjo zgjidhje ligjore, mbase jam edhe e bindur, se është një nga zgjidhjet ligjore të cilën po e shfrytëzoni si vegël parazgjedhore, megjithatë në një mënyrë të padrejtë. Këtë nuk e kuptoj si një politikë të mirë, sepse askush nuk mund të vendoset si gjykatës mbi institucionet dhe komisionet profesionale të cilët e bëjnë këtë vlerësim dhe do të mund t’u kompensojnë dëmin qytetarëve”,- theksoi Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
 
Lubomir Josifovski nga PRSD tha se nuk qëndron arsyetimi për keqpërdorim të të dhënave personale, sepse, sipas tij, kur bëhet fjalë për zbatimin e politikave ndëshkuese pushteti i zbaton ato. 
 
NAIM RAMADANI