Maqedoni
Dridhjet e tokës janë qetësuar, banorët kthehen në vendbanimet e tyre
15.09.2016 17:00
Qyteti i Shkupit kaloi një natë të qetë, pa asnjë dridhje...

Toka në rajonin e Shkupit dalëngadalë po qetësohet pas tërmetit të fuqishëm prej 5.3 ballë të së dielës. Një pjesë e madhe e qytetarëve që kaluan netët jashtë janë kthyer më në shtëpitë e tyre.
“Prej mbrëmë të gjithë thuajse qëndruan në shtëpi, është qetësuar pak situata, nuk ke çfarë të bësh, gjithçka që vjen prej zotit nuk kemi ku të ikim. Normalisht frika te të gjithë ekziston, por nuk kemi vend tjetër ku të shkojmë”,- tha një qytetar.
“Ne kemi dalë jashtë vetëm kur ka pasur dridhje, pak u shqetësuam, pak panik, por kaloi. Unë personalisht me familjen kam ndenjur këtu te banesa, meqenëse jam në përdhesë, por komshinjtë lartë meje kanë pasur më shumë frikë për t’u ngjitur lartë”,- theksoi një qytetar.
-Përse nuk ktheheni në shtëpi?
“Na ka hyrë shumë frika atë ditë, atë ditë ishte diçka e papërshkrueshme, e rëndë për ta shpjeguar. Për sonte nuk e di se a do të kthehemi në shtëpi”,- tha një qytetar.
“Mirë kaluam mbrëmë, shyqyr Zotit mbrëmë kemi fjetur bash mirë”,- deklaroi një qytetar.
Institucionet arsimore në Shkup vazhdojnë të mos realizojnë mësim të plotë. Numri i nxënësve që ndjekin mësim është shumë i ulët si në shkollat fillore po ashtu edhe në ato të mesme.
“Në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski-Penko” mësimdhënësit së bashku me mua jemi për çdo ditë në punë, por kemi një problem, prindërit nuk i lëshojnë fëmijët të vijnë në shkollë dhe besoj se kjo edhe nesër do të vazhdojë. Nesër është e premte, besoj se prej frikës mos përsëriten dridhjet nuk do t’i lëshojnë fëmijët në shkollë. Sa i përket orëve të humbura në shkollë, ne jemi në kontakt me komunën dhe MASh-in, dhe presim prej tyre të na udhëzojnë si do të veprojmë, ose do të punojmë të shtunave, ose patjetër është të kompensohen këto ditë”,- theksoi drejtori i Sh. F. “Petar Zdravkovski – Penko”, Enis Mehmeti.
Interesimi i ulët ditëve të fundit vërehet edhe nëpër kopshtet në Shkup. Drejtuesit e këtyre institucioneve shpresojnë se nga dita e hënë të gjithë prindërit do të qetësohen dhe do të fillojnë t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe. Edhe pse nuk kishte njoftim zyrtar për ndërprerjen e procesit për kujdesjen e fëmijëve, shumë kopshte në Shkup u mbyllën ose dhe punuan me orar të përgjysmuar.
REXHEP QAMILI
