Maqedoni
Balancimi i numrit të votuesve, BDI me iniciativë për të gjitha njësitë zgjedhore
15.09.2016 17:16
Me qëllim të largimit të të gjitha dyshimeve për legjitimitetin e zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit...

Me qëllim të largimit të të gjitha dyshimeve për legjitimitetin e zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka përgatitur propozim-tekst të ri në të cilin ka parashikuar mundësitë për barazimin e numrit të votuesve nëpër njësitë zgjedhore si dhe revidimin e kufijve të njësive zgjedhore.
Meqë numri i votuesve në njësinë e 6-të zgjedhore ka tejkaluar pragun e 5 për qindëshit dhe ka më shumë votues se sa njësitë e tjera zgjedhore, koordinatori i grupit parlamentare të BDI-së, Talat Xhaferi, pritet që gjatë ditës së nesërme të dorëzojë deri tek të gjitha grupet e partive parlamentare propozim-tekstin për balancimin e votuesve në njësitë zgjedhore. Propozim-teksti tashmë është gati, por formalisht ende nuk është dërguar në Parlament.
Gjatë ditës së djeshme rreth kësaj çështje deputeti i BDI-së, Rafis Haliti, tha se barazimi i votuesve si dhe revidimi i kufijve të njësive zgjedhore është i patjetërsueshëm, sepse të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejta të njëjta.
PDSh akuzon se me ndarjen aktuale të njësive zgjedhore cenohet barazia e votës dhe shqiptarët fatkeqësisht nga kjo ndarje humbin deputetë.
LSDM nuk ka ende qëndrim zyrtar për çështjen, por pajtohet me faktin se njësia e 6-të zgjedhore është kontestuese.
VMRO konsideron se revidimi i njësive zgjedhore nuk do të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Kodi zgjedhor parashikon që numri i votuesve të regjistruar në gjashtë rajonet në vend të mos e tejkalojë pragun prej 5 për qind.
Sipas të dhënave të fundit të KShZ-së, në njësinë e 6-të zgjedhore ka tejkalim prej 5.28%, por problematike janë edhe njësitë 3 dhe 4, ku ka numër më të vogël votuesish.
