Botë
Arrestime në Turqi, dyshim për sulme në dy ambasada
16.09.2016 14:13
Autoritetet turke kanë arrestuar katër persona për shkak të dyshimeve se ata kishin planifikuar që të organizonin sulme ndaj ambasadave gjermane dhe britanike në Ankara...

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet të cilat njoftuan se operacioni ishte zhvilluar përmes një bashkëpunimi mes agjencive inteligjente të vendeve respektive që kanë nuhatur aktivitet të dyshimtë.
Tre prej të dyshuarve janë arrestuar në Ankara, ndërkohë që një person i katërt është arrestuar në Stamboll.
Ende nuk dihen shumë detaje rreth arsyeve se pse individët mund të kishin planifikuar që të sulmonin ambasadat e huaja, ndaj hetuesit kanë nisur menjëherë një hetim zyrtar.
Fillimisht investigimi kishte nisur mbi dyshimet se të arrestuarit ishin anëtarë të “Shtetit Islamik”.
Megjithatë, në bazë të raportimeve paraprake, njoftohet se deri më tani nuk është gjetur asnjë provë e cila vërteton se këta persona kanë lidhje ose janë të përfshirë në organizata terroriste.
Në një prononcim zyrtar, Ambasada gjermane në Ankara ka bërë të ditur se për shkak të informacione mbi rrezikun e një sulmi ka punuar me orar të kufizuar dhe nën masa të rrepta përgjatë gjithë javës.
Ndërkohë, Ambasada britanike është mbyllur sot për arsye sigurie. Autoritetet janë ende duke hetuar mbi ngjarjen.
