Maqedoni

Rasti “Puç” shtyhet për 1 nëntor

16.09.2016 14:43

Në Gjykatën Penale të Shkupit u anulua seanca gjyqësore për rastin “Puç”, ku në mesin e të akuzuarve janë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dhe ish-drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski...

Për shkak të moskompletimit të Këshillit gjyqësor dhe mungesës së gjykatësit porot,  kjo seancë u anulua për 1 nëntor.
 
Zaev tha se shtyrja e kësaj seance u bë për shkak të mosparaqitjes në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ndërsa kjo, sipas Zaevit, dëshmon se gjyqësori është në kontroll të pushtetit. 
 
“Anulimi i seancës gjyqësore sot është dëshmi se si po instrumentalizohet dhe se si vihet nën kontroll gjyqësori për shkak të disa politikave të gabuara në Maqedoni. Sot nuk u mbajt seanca për rastin “Puç” për shkak se dëshmitari i kryesor, i vetmi dëshmitar, Nikolla Gruevski, vendosi që të mos paraqitet në gjykatë ose gjykatës i është thënë që të mos i dërgojnë ftesë për këtë seancë, po për të qenë tërësishëm i mbuluar, ai në këtë drejtim është thënë se gjoja një prej gjykatësve porot ka qenë i penguar të jetë prezent  edhe pse ligji parashikon zëvendësim të jurisë kur njëri prej tyre nuk mund të vijë në seancë”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Prokurorja speciale, Katica Janeva, e cila po ashtu u paraqit në gjykatë, tha se periudha prej 1 muaj e gjysmë kur është caktuar seanca e radhës është shumë e gjatë dhe nuk është në rregull kjo të bëhet për një lëndë aq të rëndësishme. 
 
“Mendoj se një lëndë e tillë, siç është rasti “Puç”, është me rëndësi të madhe që seancat e ardhshme të caktohen në datë sa më të shkurtër, sepse personat të cilët janë përfshirë në këtë rast kanë masa të kujdesit me të cilat ata pësojnë kufizime në lirinë e tyre”,- theksoi Katica Janeva nga PSP.
 
Të akuzuarit në rastin “Puç” akuzohen për veprat spiunazh dhe dhunim ndaj  përfaqësuesve të lartë të organeve shtetërore.
 
REXHEP QAMILI