Botë
Samiti i Bratislavës, Merkel: BE-në nuk e shpëton një samit
16.09.2016 15:14
Në prag të nisjes së Samitit të Bratislavës, ku liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të diskutojnë për problemet kryesore të bllokut...

Në prag të nisjes së Samitit të Bratislavës, ku liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të diskutojnë për problemet kryesore të bllokut, kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shprehur se aktualisht unioni është në një gjendje kritike dhe se zgjidhja e problemeve nuk mund të vijë vetëm me një takim.
Shefja e ekzekutivit gjerman listoi si disa prej problemeve kryesore sigurinë, luftën kundër terrorizmit, zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe menaxhimin e fluksit të azil-kërkuesve.
“Çështja nuk është të pritet zgjidhja e të gjitha problemeve të Europës nga një samit i tillë. Ne jemi në një gjendje kritike, por duhet treguar me vepra se mund t’i përmirësojmë gjërat në fushën e sigurisë, asaj të brendshme e të jashtme, në luftën kundër terrorizmit dhe në drejtim të bashkëpunimit për mbrojtjen. Shpresoj që Bratislava të tregojë se ne duam të punojmë së bashku dhe se duam t’i zgjidhim problemet e Europës”,- deklaroi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Që do të nevojitet punë për daljen nga kjo situatë u kuptua edhe në deklaratën e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili u bëri thirrje krerëve të BE-së që të shohin problemet e bllokut në një mënyrë “sa më të kthjellët e të ndershme”.
Në Samitin e Bratislavës nuk është parashikuar të diskutohen negociatat e shkëputjes me Britaninë. Qëllimi i tij është të shohë drejt së ardhmes si një grup 27 anëtarësh.
Si prioritete të agjendës së Bratislavës renditen siguria dhe kapacitetet e mbrojtjes. Pikërisht në këtë fushë pritet dhe konkretimi i idesë së një unioni me një shtab të përbashkët mbrojtjeje.
Italia ka mbështetur më parë një strategji të përbashkët që konsiderohej një lloj "Shengeni të mbrojtjes". Përparësi do të ketë gjithashtu edhe e ardhmja sociale dhe ekonomike e Europës si edhe shkëmbimi kulturor në BE.
LEUNORA KALIQI
