Maqedoni

Tërmeti në Shkup, evidentohet dëmtimi i objekteve, gjasa të vogla për lëkundje të reja të tokës

16.09.2016 15:31

Lëkundjet e tokës ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme në disa objekte publike dhe private në Shkup...

Nga Qendra për menaxhim me kriza bëjnë të ditur se të gjithë qytetarët të cilët kanë paraqitur dëme në 195, kërkesat e tyre fillimisht do të dërgohen nëpër komuna, dhe komisionet komunale do të bëjnë vlerësimet, përveç në rastet kur ka nevojë për vlerësim nga ekipe profesionale të Institutit sizmologjik.
 
Nga Komuna e Çairit theksojnë se Komisioni komunal dhe Instituti sizmologjik dalin në teren për të konstatuar gjendjen e rrezikshmërisë së objekteve, e jo për dëmshpërblime.
 
“Ne për detyrë e kemi të konstatojmë se objekti a është i banueshëm dhe i qëndrueshëm që mund familja të qëndrojë aty apo eventualisht duhet të ia përcjellim Institutit sizmologjik që të bëjnë rivlerësimin edhe njëherë, sepse ne nëse nuk mund të konstatojmë si Komision komunal, të njëjtin ia ridërgojmë Institutit sizmologjik edhe  ky i fundit vjen edhe njëherë në kontroll tek i njëjti objekt edhe ata e vërtetojnë objektin a është për banim apo nuk është për banim. Kjo është që po punohet momentalisht, e jo dëmshpërblime për çarje-krisjet e objekteve, por rrezikshmëria e jetesës së familjarëve në atë objekte”,- deklaroi sekretari gjeneral i Komunës së Çairit, Rami Qerimi.
                           
Në Komunën e Çairit janë formuar pesë komisione dhe deri më tani janë vizituar mbi 120 objekte që kanë pësuar dëme më të mëdha, për 30% e tyre bëhet fjalë për objekte të ndërtuara para 70 vitesh. Gjatë ditës së sotshme nga Qendra për menaxhim me kriza janë paraqitur edhe 200 kërkesa të reja të banorëve të kësaj komune.
 
Nga ana tjetër, nga Instituti Sizmologjik janë optimistë se për lëkundje të reja të tokës gjasat janë minimale.
                                                                      
“Mundësia për të ndodhur tërmet më i madh është tejet e vogël. Tanimë sipërfaqja e tokës sipas të gjitha gjasave është qetësuar tërësisht”,- theksoi drejtori i Institutit për inxhinieri sizmologjike, Mihail Garevski.
 
Nga ky institut sqarojnë se sipas rregullave sizmike në Maqedoni shkollat dhe kopshtet duhet të dimensionohen me 50% më shumë të forcave sizmologjike se sa ndërtesat.
 
Kjo po aplikohet për objektet e reja, ndërsa kemi edhe shumë shkolla dhe çerdhe që janë të ndërtuara para tërmetit të 63-tës, thonë nga Instituti sizmologjik.   
 
REJHAN BUSHI-METAJ