Maqedoni
BDI dorëzon draft/variantet për balancimin e njësive zgjedhore. PDSh: barazia e votës, vetëm kur gjashtë njësitë kanë numër të njëjtë votuesish
16.09.2016 15:50
Grupi parlamentar i BDI-së u ka dorëzuar grupeve të tjera parlamentare dy draft/variante për balancim të njësive zgjedhore...

Propozimet paraqesin bazament për të filluar debatin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, në kontekst të balancimit të njësive zgjedhore që të sigurohen zgjedhje të ligjshme.
Edhe pse nuk është propozuar ulja e pragut prej +-5%, në favor të barazisë së votës, një gjë e tillë nuk përjashtohet të diskutohet nëse palët tregojnë gatishmëri, thotë koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së.
“Pikënisja është në aspektin e balancimit të përcaktimit ligjor, por ajo nuk d.m.th. që aspektet e tjera të shqyrtimit janë të mbyllura. D.m.th. gjithçka është e hapur, me rëndësi është që pikënisja është aty ku është norma ligjore, që të sigurohet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të ligjshme në kontekst të përcaktimit ligjor”,- deklaroi Talat Xhaferi nga BDI.
Grupet parlamentare do të kenë mundësi që deri të hënën të shqyrtojnë draftet e propozuara nga BDI, që nga e hëna të hapin debatin për mundësitë dhe për variantet e gjetjes së një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Grupi parlamentar i PDSh-së mohoi se ka pranuar propozimet e BDI-së. Deputeti, Bekim Fazliu, tha se PDSh është për barazi të votës, përkatësisht balancimin e njësive zgjedhore, por jo me korrigjime minimale vetëm të njësisë pesë dhe gjashtë, që, sipas tij, nuk siguron barazi të votës.
“Ne jemi për barazi të votës. Barazia e votës nuk arrihet me bartjen e 500/600 votuesve nga njësia gjashtë në njësinë pesë, siç kishim deri tani nga qeveria VMRO–BDI, por barazia e votës arrihet vetëm atëherë nëse të gjitha njësitë zgjedhore kanë numër të njëjtë votuesish ose alternativë tjetër, le të ngelin kështu siç janë kufijtë e njësive zgjedhore, por çdo njësi zgjedhore le të japë deputetë në proporcion me numrin e votuesve të përgjithshëm që ka”,- theksoi Bekim Fazliu nga PDSh.
Konform njoftimit të KShZ-së dërguar Kuvendit të RM-së, vetëm njësia numër gjashtë tejkalon pragun ligjor mbi 5% nga mesatarja e numrit të votuesve. Megjithatë, është e dukshme se edhe njësitë zgjedhore dy, tre dhe katër, edhe pse janë brenda normave ligjore, janë kufijtë e pragut të lejuar.
Sipas njoftimit të KShZ-së, njësia zgjedhore numër tre ka -4.53% më pak votues se mesatarja e votuesve në njësitë zgjedhore. Krahasuar me njësinë zgjedhore numër gjashtë, kjo njësi ka më pak votues për 9.8%, ose rreth 30 mijë votues më pak.
SHPËTIM NUREDINI
