Maqedoni

“Tingujt e Çarshisë”, gjallërohet Çarshia e Vjetër e Shkupit

16.09.2016 16:11

Manifestimi “Tingujt e Çarshisë” gjallëroi Çarshinë e Vjetër të Shkupit me program të larmishëm në të gjitha rrugët e Çarshisë...

Gjatë ditës së sotme, studentët e artit figurativ prezantuan shkathtësitë e tyre artistike, motivin e Bit pazarit dhe arkitekturës së vjetër.
 
“Do të kenë mundësi studentët t’i tregojnë aftësitë e tyre kreative, stilin e tyre personal... Është temë e lirë dhe ata mund të zgjedhin edhe ambientet këtu se si ndikon në kreativitetin e tyre artistik, pra mund të marrin copëza nga realiteti i këtushëm të përcjellin në pëlhurë. Unë besoj që është një projekt i mirë, se ringjallet jeta kulturore në Çarshi. Ashtu që si çdo vend në botë, Çarshia ta meriton atë gjë që duhet me të vërtetë ta meriton, d.m.th. se është qendër për kulturë, për prezantime të bukura në nivele artistike”,- deklaroi piktori, Reshat Ameti.
 
“Kam punuar një portret abstrakt. Më pëlqejnë shumë punimet abstrakte, çdokush e punon atë që e ndjen brenda, është diçka që nuk mund të shprehet me fjalë, por vetëm me anë të pikturimit”,- theksoi studentja, Nora Zeqiri.
 
“Unë sot kam zgjedh një temë, një peizazh që unë e kam dashur, jo këtë pamje këtu, është shumë mirë, ndjehemi mirë këtu”,- u shpreh studenteja, Kujtime Ademi.
 
Manifestimi organizohet nga Qendra Informative Kulturore–Shkup, ndërsa pjesë e manifestimit janë prezantimi i të rinjve me instrumente klasike, popullore, koloni arti, dokumentar, shoqëri kulturore artistike dhe mbrëmje letrare.
 
Ndërsa sonte prej orës 21:00 deri në ¬24:00, në Sheshin Filipi II do të mbahet koncerti me: "Full Stop", MC Kresha&lorical son dhe Dhurata Dorën. Ky është viti i 10-të i organizimit të këtij manifestimi kulturor në Çarshinë e Shkupit. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI