Maqedoni
Zhbogar: BE ndihmoi Maqedoninë në krizën me migrantët
16.09.2016 17:51
Bashkimi Europian deri tani i ka dhënë 14 milionë euro Maqedonisë për ballafaqim të suksesshëm me krizën e refugjatëve...

Bashkimi Europian deri tani i ka dhënë 14 milionë euro Maqedonisë për ballafaqim të suksesshëm me krizën e refugjatëve, deklaroi euroambasadori, Samuel Zhbogar, gjatë vizitës së sotme të parë të punës në Qendrën transitore të pranimit në Gjevgjeli.
“Vendet anëtare të Bashkimit Europian vërtetë shumë shpejtë reaguan në thirrjen e vendit tuaj që t’i ndihmojnë në ballafaqimin me krizën migruese. Aktualisht këtu gjenden edhe 166 roje të huaja kufitare policore, të cilët i ndihmojnë vendit tuaj në sigurimin e kufirit. Jam i bindur që në QTP në Gjevgjeli sa i përket krizës migruese, gjithçka është nën kontroll dhe se mjetet që i jep BE shpenzohen në mënyrë të mençur për ushqim, shpenzime rrugore dhe akomodimin e forcave të huaja policore, si dhe për blerjen e pajisjeve të nevojshme për mbikëqyrjen e kufirit dhe për regjistrimin e migrantëve”- deklaroi euroambasadori Samuel Zhbogar.
Ai shtoi se BE Ministrisë së Punëve të Brendshme i siguroi mjete për blerjen e 33 automjeteve të terrenit, Ministrisë së Shëndetësisë i siguroi mjete për pajisjen e ambulancave për migrantë, ndërsa komunës së Gjevgjelisë BE-ja i ndihmoi të blejë pajisje për menaxhim të suksesshëm me mbeturinat e forta, që përbëhet prej automjeteve komunale dhe ekskavatorë, si dhe mjete për ndërtimin e një mini-deponie.
Zhbogar theksoi se çështja me migrantët edhe më tej paraqet prioritet të lartë për BE-në.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
