Rruga Bellanoc-Stançiç, punohet intensivisht të përfundojë deri në fund të vitit

17.09.2016 19:21

Rruga Bellanoc-Stançiç e filluar nga fshati Sllupçan...

Rruga Bellanoc - Stançiç  e filluar nga fshati Sllupçan, tash disa vite  ka qenë në fokus të diskutimeve të shumta për zvarritjen e punimeve.

Mirëpo gjatë këtij viti punimet për nga dinamika dhe intensiteti i aktiviteteve kanë bërë që më në fund kjo rrugë të formësohet dhe dalngadalë të bëhet realitet premtojnë autoritetet lokale.

“Për herë të parë jam i kënaqur me intensitetin e punës së rrugës që lidhet me Republikën e Kosovës. Deri më tani edhe ju e keni përcjellur punën, por edhe ne si Komunë . Nuk kemi qenë të kënaqur dhe shumë herë kemi reagur si komunë se pse nuk punohet me një intensitet pak më të madh . Tani për tani jam i kënaqur me punën që bëhet dhe besoj me intensistetin që është duke u punuar në rrugën që lidhet me Republikën e Kosovës , besoj që do të arrihet plani ashtu siç është paraparë nga Agjencioni i rrugëve në Republikën e Maqedonisë” – tha kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.

Rruga në bazë të gjitha parashikimeve pritet të përfundojë deri në fund të vitit, kuptohet nëse gjithçka ecën sipas dinamikës së paraparë në terren.

“Në bazë të planit të Agjencionit për rrugë të RM , pritet që të përfundojë nderi në fund të vitit” – deklaroi kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.

Ndryshe kjo rrugë ndërkombëtare që lidh Maqedoninë dhe Kosovën , është e një rëndësie jetike, jo vetëm për shkak të lidhjeve farefisnore nga të dyja anët e kufirit, por edhe për shkak të lidhjeve ekonomike, kulturore e sportive si dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e bizneseve. (Nexhati Aqifi, TVM2)