Forcat e koalicionit vranë gabimisht mbi 80 ushtarë të regjimit sirian

18.09.2016 15:45

Rusia, aleate e Sirisë, ka bërë thirrje për një mbledhje emergjente...

Rusia, aleate e Sirisë, ka bërë thirrje për një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që besohet se kanë vrarë gabimisht dhjetëra luftëtarë të qeverisë siriane, që po luftonin ekstremistët e Shtetit Islamik afër kufirit me Irakun.

Thirrja e Rusisë ndodhi pak orë pasi që avionët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, bombarduan pozicionet e armatës siriane në lindje të vendit duke vrarë mbi 80 luftëtarë qeveritar që po luftonin me ekstremistët e IS-it për kontrollin e zonës së aeroporti në Deir Ezzor.

Në një deklaratë të komandës qendrore amerikane, thuhet se një avion i koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara qëlloi afër Deir Ezzorit, duke besuar se kishte vënë në shënjestër luftëtarët e IS-it, të cilët i kishte ndjekur “për një kohë” para se të qëllonte.

Në deklaratë nuk jepen hollësi rreth viktimave, por theksohet se “sulmi është ndërprerë menjëherë pasi që zyrtarët e koalicionit u informuan nga autoritetet ruse se është e mundur që personeli dhe automjetet e shënjestëruara janë pjesë e ushtrisë siriane”.

Deklarata e identifikon Deir Ezzorin, rreth 100 kilometra në perëndim të kufirit irakian, si një zonë të shënjestëruar nga avionët e koalicionit në operacionet e mëparshme, shkruan zëriamerikës. Aty thuhet se komandantët e koalicionit i kishin njoftuar më herët autoritetet ruse për sulmet e planifikuara.

Nga ana e saj, ministria ruse e mbrojtjes e përshkroi sulmin e forcave të koalicionit si dëshmi të “refuzimit kokëfortë” të Ëashingtonit për të bashkërenduar veprimet e tij me forcat ruse që luftojnë përkrah forcave qeveritare besnike ndaj presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ishte e paqartë të shtunën në mbrëmje se si mund të ndikojë sulmi në armëpushimin që hyri në fuqi më herët gjatë javës dhe çfarë veprimesh mund të marrë Këshilli i Sigurimit.