Përdorimi i plotë i dygjuhësisë përplasë LSDM dhe VMRO-DPMNE
Përdorimi i plotë i dygjuhësisë është obligim kushtetues...

Përdorimi i plotë i dygjuhësisë është obligim kushtetues dhe vetëm se mbetet të implementohet konsideron LSDM – ja.
Sekretari i përgjithshëm i këtij subjekti, Oliver Spasovski deklaroi se çështja e dygjuhësisë ekziston në programin e LSDM-së qysh nga viti i kaluar.
“Në raport me programin e LSDM-së kjo çështje është miratuar qysh nga viti i kaluar, ajo tani përditësohet… Për ndryshe çështja e gjuhës është e rregulluar me Kushtetutën e vendit, me dispozitat e ligjeve pozitive dhe kjo përfaqëson një kornizë të mjaftueshme, vetëm se ngelet të implementohet” – tha sekretari i përgjithshëm i LSDM –së, Oliver Spasovski.
Ndërkohë në reagimin e VMRO- DPMNE – së theksohet se nuk do të lejojnë që dikush të bëjë pazare politike në kurriz të interesave nacionale.
“LSDM nuk do të arrijë qëllimet e saja për të implementuar dygjuhësinë në tërë territorin e vendit. Zgjedhjet e dhjetorit do të jenë një referendum në të cilin populli do t’ia vërtetojë kriminelit të falur Zoran Zaev se nuk do të ketë lakim të shpinës dhe nuk ka pazare me Maqedoninë dhe interesat nacionale”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Përdorimin i gjuhës shqipe në mbarë territorin e vendit u aktualizua pas deklaratës së liderit të LSDM-së Zoran Zaev i cili premtoi se me ardhjen e tij në pushtet do të angazhohet për implementim gjithëpërfshirës të gjuhës shqipe në Maqedoni.
BDI e ka përshëndet këtë nismë duke rikujtuar se bëhet fjalë për një detyrim kushtetues ndërsa VMRO-DPMNE këtë detyrim kushtetues e ka konsideruar si të pamundur dhe kërcënim për interesat themelore të kombit maqedonas. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
