Lëvizja Besa akuzon MASH-in, konsideron se pengohet arsimi shqip
Në një reagim të Lëvizjes BESA thuhet...

Në një reagim të Lëvizjes BESA thuhet se ”edhe 15 ditë pas fillimit të vitit shkollor disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe ende nuk kanë filluar me punë. Dhe, gjithë kjo ndodhë si pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Arsimit.
Kjo lëvizje mes tjerash deklaron se ”si pasojë e kushteve të vështira dhe mosorganizimit të transportit të nxënësve, mësimi nuk ka filluar të zhvillohet në disa shkolla të Komunës së Likovës, Tetovës, dhe Dollnenit.
Nisur nga kjo, Lëvizja BESA pyet Ministrin e Arsimit dhe drejtuesit e Komunave që nuk mundësojnë mbajtjen e mësimit a e dinë ata se mësimi fillon në 1 shtator dhe përse deri atëherë nuk i kanë kryer punimet e nevojshme apo pse nuk kanë gjetur zgjidhje tjetër, që fëmijët të mos humbin nga procesi mësimor. Për këtë arsye kjo lëvizje i bën thirrje të gjithë atyre që kanë marrë përsipër të menaxhojnë me arsimin në Maqedoni, qoftë në nivel shtetëror ose edhe në nivel lokal, t’i kryejnë detyrimet e tyre me përgjegjësi dhe, me veprimet e tyre, të mos e dëmtojnë procesin edukativo-arsimor.”
Ndërkohë për mos fillimin në kohë të mësimit nga komuna e Likovës u arsyetuan dy ditë më pare për TVM2 se kredia për renovimin e shkollave është marrë vetëm në fund të gushtit pasi atëherë është lëshuar nga banka botërore, ndërsa për transportin në Tetovë dje nga komuna thane se problemi qëndron në çmimin e lartë të ofruar nga transportuesit dhe theksuan se problemi do të zgjidhet.
